Kanë kaluar pothuajse tre muaj që kur Peyvand Naimi, 30 vjeç, u arrestua në lidhje me protestat masive që u përhapën në të gjithë Iranin në janar. Që atëherë, ai është mbajtur për më shumë se një muaj në izolim, është shfaqur në një rrëfim të detyruar televiziv dhe i është nënshtruar dy ekzekutimeve të simuluara me varje, rrahjeve, marrjeve në pyetje, torturës psikologjike dhe urisë, shkruan The Guardian.
Ai është akuzuar për përfshirje në vdekjen e agjentëve të sigurisë gjatë protestave dhe për festimin e vdekjes së ish-udhëheqësit suprem të Iranit, Ali Khamenei, por familja e tij këmbëngul se ai nuk ka bërë asgjë të gabuar dhe se nuk janë ngritur akuza formale. Atij i është mohuar e drejta për avokat dhe se të afërmit e tij kanë frikë se ai tani përballet me ekzekutim.
Fati i Naimit vjen mes shqetësimeve se në Iran po ndodh një rritje e ekzekutimeve dhe se kjo është “mbuluar” nga lufta SHBA-Izrael kundër Iranit. Të paktën 145 persona konfirmohet se janë ekzekutuar deri tani, ndërsa mbi 400 ekzekutime të tjera janë raportuar, por jo verifikuar, sipas Iran Human Rights.
Më herët këtë muaj, tre burra u varën publikisht pasi u arrestuan për protestat e janarit. Saleh Mohammadi, një 19-vjeçar, së bashku me Mehdi Ghasemi dhe Saeed Davoudi, u dënuan për luftë kundër Zotit, sipas mediave shtetërore. Një ditë më parë, Kourosh Keyvani, shtetas me dy shtetësi suedeze-iraniane, u ekzekutua për spiunazh për Izraelin.
Ndërprerja e internetit e bën të pamundur përcaktimin e saktë të numrit të ekzekutimeve të kryera këtë vit. Shumë dënime me vdekje, ose edhe akuza që mund të çojnë në dënimin me vdekje, nuk janë shpallur zyrtarisht. Në vend të kësaj, ato u komunikohen vetëm të burgosurve dhe familjeve të tyre.
Familjet e dhjetëra mijëra personave që mbeten të ndaluar pas protestave të janarit po paralajmërohen gjithashtu nga autoritetet që të mos kontaktojnë askënd. Dhjetëra protestues përballen me dënimin me vdekje, sipas Amnesty.
Të hënën, mediat shtetërore njoftuan se dy të burgosur politikë, Mohammad Taghavi, 59 vjeç, dhe Akbar Daneshvarkar, 60 vjeç, ishin ekzekutuar për rebelim të armatosur kundër shtetit. Amnesty International kishte deklaruar më parë se dënimet e tyre me vdekje në tetor 2024 pasuan një gjyq të padrejtë, i shoqëruar me akuza për tortura për të nxjerrë rrëfime të detyruara.
Po këtë javë, Babak Alipour, 34 vjeç, dhe Pouya Ghobadi, 33 vjeç, u ekzekutuan në burgun Ghezel Hesar, pranë Teheranit, sipas Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit, pasi u dënuan me vdekje për anëtarësim në organizatën opozitare në mërgim, Mujahideenët e Popullit të Iranit, pas muajsh marrjeje në pyetje dhe torturash.
Grupet e të drejtave të njeriut thonë se mediat shtetërore përdorin ekzekutimet si paralajmërim për publikun kundër kundërshtimit.
“Që nga kryengritja ‘Grua, Jetë, Liri’ e vitit 2022, autoritetet iraniane e kanë përdorur qëllimisht dënimin me vdekje si armë për të mbjellë frikë në popull dhe për të shtypur kundërshtimin,” thotë Mansoureh Mills, studiuese për Iranin në Amnesty International.
Më 23 mars, zëvendësshefi i parë i gjyqësorit njoftoi se rastet që lidhen me protestat e janarit ishin rishikuar, me disa që kishin arritur vendime përfundimtare dhe tani po zbatoheshin. Ai theksoi se nuk do të kishte asnjë lehtësim për të dënuarit.
Sipas raportuesit të OKB-së për të drejtat e njeriut në Iran, në vitin 2025 pati të paktën 1,639 ekzekutime, krahasuar me 975 në vitin 2024, ndërsa organizatat e shoqërisë civile kanë thënë se në të vërtetë kishte mbi 2,000 ekzekutime vitin e kaluar. Dallime të tilla në shifra janë të zakonshme, sipas OKB-së, pasi vetëm 7% e ekzekutimeve u njoftuan nga burime zyrtare. Shumica u kryen për akuza për drogë ose vrasje.
Gjatë luftës me SHBA-në dhe Izraelin, janë raportuar mbipopullim i rëndë në burgje dhe mungesë ushqimi, uji, ilaçesh dhe kushte sanitare, si dhe zhdukje të detyruara dhe tortura.
Sipas Amnesty International, më 3 mars forcat e sigurisë përdorën gaz lotsjellës kundër të burgosurve në Mahabad pasi ata protestuan për lirimin e tyre pas shpërthimeve në afërsi. Në burgun Evin, të ndaluarit në sektorin 209, shumë prej tyre aktivistë dhe disidentë, janë transferuar në vende të panjohura, ndërsa familjet nuk marrin informacion për vendndodhjen e tyre.
