Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka paralajmëruar kundër një qasjeje të bazuar në parimin “i forti bën ligjin” në marrëdhëniet tregtare ndërkombëtare, duke theksuar se Europa mbetet një partnere e qëndrueshme dhe e parashikueshme.
Gjatë një daljeje publike, Macron u ndal tek mënyra e funksionimit të Bashkimit Europian, duke pranuar se procesi i vendimmarrjes mund të jetë më i ngadaltë për shkak të koordinimit mes 27 vendeve anëtare. Megjithatë, ai theksoi se ky model garanton respektimin e shtetit të së drejtës dhe të rregullave ndërkombëtare.
Presidenti francez nënvizoi se vendet europiane nuk mbështesin vendosjen e tarifave tregtare dhe i qëndrojnë besnike një sistemi të bazuar në rregulla, duke e konsideruar këtë si thelbësore për stabilitetin global.
Në fjalën e tij, Macron vuri theksin edhe tek bashkëpunimi afatgjatë mes vendeve europiane, duke kujtuar lidhjet historike dhe partneritetet e ndërtuara ndër dekada. Ai paralajmëroi se çdo aktor ndërkombëtar që zgjedh të veprojë mbi bazën e forcës, duke anashkaluar rregullat e përbashkëta, rrezikon të krijojë pasiguri dhe mosbesim tek të tjerët.
Deklaratat e tij vijnë në një klimë tensionesh të shtuara globale dhe pas kritikave të mëhershme ndaj politikave të ish-presidentit amerikan Donald Trump, veçanërisht për çështjet e tregtisë dhe tarifave.
Këto komente u bënë gjatë vizitës zyrtare të Macron në Seoul, ku ai zhvilloi takime të nivelit të lartë në kuadër të një turi aziatik që përfshiu edhe Japoninë. Vizita synon forcimin e rolit strategjik dhe ekonomik të Francës në rajon, në një periudhë sfidash dhe zhvillimesh të rëndësishme në arenën ndërkombëtare./mxh
