Last Updated on 03/04/2026 by EL
Një 91-vjeçar, i arrestuar më 14 mars në Durrës pas një denoncimi për dhunë në familje, ka ndërruar jetë në ambientet e QSUT-së. Medat Spahiu humbi jetën në Reanimacionin Qendror në QSUT këtë të premte rreth orës 14:10, si pasojë e një embolie pulmonare dexter.
I paraburgosuri Medat Spahiu, i datëlindjes 10.04.1935, banues në Xhafzotaj, Durrës, ishte arrestuar më datë 14.03.2026 për veprën penale “Vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare, e mbetur në tentativë”.
91-vjeçari dyshohet se kishte goditur me sende të forta në kokë dhëndrin e tij 69-vjeçar ndërsa në cilësinë e provës materiale policia kishte sekuestruar një shat (tip lopatë).
“Në datë 17.03.2026, ai ka hyrë në IEVP Durrës nga Komisariati i Policisë Durrës, por është mbajtur nën ruajtje në ambientet e Spitalit Rajonal Durrës, ku ndodhej i shtruar.
Në datë 19.03.2026, është transferuar në Spitalin “Shefqet Ndroqi” në Tiranë, në pavijonin e pneumologjisë, për trajtim të specializuar.
Në datë 31.03.2026, është bërë dalje nga Spitali “Shefqet Ndroqi” dhe është shtruar në QSUT.
Në orën 22:34, datë 02.04.2026, është shtruar me urgjencë në Reanimacionin Qendror, ku u diagnostikua me emboli pulmonare dexter, hipertension arterial, diabet mellitus, gjendje pas A.V.C. dhe frakturë subtrokanterike sinister.
Po zbatohen procedurat për rastin dhe janë njoftuar organet përkatëse dhe familjarët”, njofton Drejtoria e Burgjeve./et
