Një zyrtar i lartë iranian i është përgjigjur ultimatumit të fundit të Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, duke deklaruar se Ngushtica e Hormuzit, një rrugë kyçe për transportin e naftës, do të rihapet vetëm kur dëmet financiare nga lufta të“kompensohen plotësisht.
Mehdi Tabatabaei, zëvendës për komunikimet në zyrën e presidentit iranian Masoud Pezeshkian, e akuzoi Trumpin për nxitjen e një “lufte të përgjithshme në rajon”.
“Ngushtica e Hormuzit do të rihapet vetëm kur, sipas një regjimi të ri ligjor, dëmet nga lufta e imponuar të kompensohen plotësisht nga një pjesë e të ardhurave nga taksat e tranzitit”, postoi Tabatabaei në X.
Një reagim ka pasur edhe nga Mohammad Bagher Ghalibaf, kreu i parlamentit të Iranit, i cili shprehet se SHBA po e çon rajonin e Lindjes së Mesme drejt “djegies”.
“Veprimet tuaja të pakujdesshme po tërheqin Shtetet e Bashkuara në një FERR të gjallë për çdo familje, dhe i gjithë rajoni ynë do të digjet, sepse ju insistoni të ndiqni urdhrat e Netanyahu-t. Mos gaboni: Nuk do të fitoni asgjë përmes krimeve të luftës. Zgjidhja e vetme reale është respektimi i të drejtave të popullit iranian dhe përfundimi i këtij loje të rrezikshme”, thuhet në postimin e Ghalibaf.
Ndërkohë, misioni i Iranit në Kombet e Bashkuara tha se mesazhi i Trump ishte një kërcënim i hapur për të “shkatërruar infrastrukturën thelbësore për mbijetesën e civilëve në Iran”.
“Bashkësia ndërkombëtare dhe të gjitha shtetet kanë detyrime ligjore për të parandaluar akte të tilla të tmerrshme të krimeve të luftës. Ata duhet të veprojnë tani. Nesër është tepër vonë”, tha misioni në një deklaratë.
Zyrtarët iranianë kanë thënë më parë se do të vazhdojnë të vendosin tarifa për kalimin e sigurt të disa anijeve cisternë nëpër Ngushticë – një propozim që është përballur me reagime të ashpra nga qeveritë dhe ekspertët e industrisë së transportit detar./mxh
