Kryeministri i Libanit, Nawaf Salam, bëri thirrje për armëpushim dhe përfundimin e menjëhershëm të të gjitha luftimeve, pas marrëveshjes së fundit për armëpushim mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit në rajon.
Në një deklaratë publike, Salam theksoi se lufta është imponuar ndaj Libanit dhe përsëriti qëndrimin e tij se vetëm shteti libanez ka të drejtën të negociojë në emër të vendit. Ai shtoi se zhvillimet e fundit mund të rrisin mundësinë për arritjen e një armëpushimi edhe në territorin libanez.
Ndërkohë, Presidenti i Libanit, Joseph Aoun, përshëndeti marrëveshjen 15-ditore të armëpushimit mes SHBA-së dhe Iranit. Në një deklaratë të publikuar në rrjetet sociale, ai vlerësoi rolin e vendeve si Pakistani, Egjipti dhe Turqia në arritjen e kësaj marrëveshjeje dhe shprehu shpresën për një paqe të qëndrueshme në rajon.
Aoun theksoi gjithashtu se sovraniteti i plotë i Libanit dhe e drejta ekskluzive e institucioneve shtetërore për të vendosur për luftë dhe paqe mbeten prioritete kyçe.
Në terren, situata mbetet e tensionuar. Hezbollah ka ndaluar sulmet ndaj veriut të Izraelit dhe trupave izraelite në Liban si pjesë e armëpushimit, por ka paralajmëruar se marrëveshja mund të dështojë nëse Izraeli nuk e respekton atë.
Nga ana tjetër, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, deklaroi se armëpushimi me Iranin nuk përfshin Libanin, ndërsa ushtria izraelite ka konfirmuar vazhdimin e operacioneve kundër Hezbollahut.
Zhvillimet e fundit pritet të ndikojnë ndjeshëm në stabilitetin e rajonit dhe në përpjekjet për një marrëveshje më të gjerë paqeje./mxh
