Ish-nënpresidentja amerikane, Kamala Harris, ka deklaruar se po shqyrton mundësinë e rikandidimit për president të Shteteve të Bashkuara në zgjedhjet e vitit 2028.
Harris u shfaq të premten në një aktivitet të organizuar nga National Action Network, një organizatë për të drejtat civile e themeluar nga reverendi Al Sharpton, ku u pyet drejtpërdrejt nëse planifikon të hyjë sërish në garën presidenciale.
“Ndoshta, ndoshta. Po mendoj për këtë, po mendoj për këtë”, u shpreh Harris, ndërsa pjesëmarrësit në New York City e pritën me duartrokitje.
Ajo shtoi se çdo vendim për kandidim do të varej nga vlerësimi i asaj se kush është në gjendje të shërbejë më mirë si president për qytetarët amerikanë.
Joe Biden, nën drejtimin e të cilit Harris shërbeu si zëvendëspresidente, kishte fituar zgjedhjet e vitit 2020, ndërsa në vitin 2024 ajo humbi garën presidenciale ndaj Donald Trump, i cili fitoi si votën popullore ashtu edhe atë të Kolegjit Zgjedhor.
Harris ka një karrierë të gjatë politike, përfshirë shërbimin si senatore amerikane dhe prokurore e përgjithshme e Kalifornisë, si dhe një kandidim të pasuksesshëm për nominimin presidencial të Partisë Demokratike në vitin 2020.
Një rikandidim i mundshëm në vitin 2028 pritet të përballet me sfida brenda elektoratit demokrat, ku sondazhet kanë treguar se shumë votues kërkojnë udhëheqje të re pas humbjes së saj ndaj Trump./mxh
