Një studim i ri britanik, për vitin 2025, zbulon se ngacmimet seksuale janë më të zakonshme për Gjeneratën Z dhe shumica e këtyre sulmeve ndodhin deri në moshën 23 vjeç.
Studimi i kryer nga UCL (University College London), pohon se një në katër gra është ngacmuar seksualisht, ndërsa një në shtatë është abuzuar emocionalisht nga partneri i tyre. Në total, 11% (një në dhjetë) e grave të reja kanë përjetuar ngacmim seksual ose abuzim emocional gjatë vitit të fundit.
Studiuesit nga Qendra UCL për Studime Gjatësore analizuan të dhënat e 10 mijë personave të lindur në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar në vitet 2000-2002. Në moshën 23 vjeç, pjesëmarrësve në studim iu kërkua të raportonin përvojat e tyre. Autorët e studimit i krahasuan këto të dhëna me raportet e mëparshme të marra në moshën 17 vjeç.
Raportime mbi viktimat
Një në gjashtë persona raportoi qasje seksuale të padëshiruara (16%) dhe një në 20 përjetoi sulm seksual (5%) në moshën 23-vjeçare, nga 13% dhe 3% respektivisht në moshën 17-vjeçare.
Të rinjtë që kanë ndjekur universitetin kishin dy herë më shumë gjasa të raportonin një qasje seksuale të padëshiruar krahasuar me bashkëmoshatarët e tyre (22% kundrejt 11%).
Një e pesta raportoi se ishte ndaluar nga policia në një moment të jetës së tyre, krahasuar me 16% në moshën 17-vjeçare. Një në dhjetë 23-vjeçarë ishte paralajmëruar ose arrestuar, nga rreth 7% në moshën 17-vjeçare.
Paraqitjet në gjykatë si të akuzuar u rritën gjithashtu ndjeshëm, nga 0.3% në 2.5% përkatësisht në moshat 17 dhe 23 vjeç. Megjithatë, raportimet për dhunë fizike, si shtyrje, goditje, shuplaka apo grushta, ranë ndjeshëm me rritjen e moshës, ku 11% e 23-vjeçarëve e raportuan këtë krahasuar me 24% në moshën 17-vjeçare.
Të qenit viktimë e një sulmi me armë gjatë vitit të fundit ishte gjithashtu më pak e zakonshme.
Dallimet sipas gjinisë
Autorët e studimit zbuluan se përvojat me krimin, sulmin dhe abuzimin ndryshonin mes grupeve të ndryshme.
Meshkujt kishin dukshëm më shumë gjasa të përfshiheshin në krim dhe kishin më shumë ndërveprime me sistemin e drejtësisë penale sesa femrat. Në të kundërt, femrat kishin më shumë gjasa të përjetonin qasje seksuale të padëshiruara, sulm seksual, dhunë dhe abuzim emocional nga partneri.
Formimi arsimor i individëve ishte i lidhur ngushtë me përvojat e tyre me krimin dhe viktimizimin. Personat që nuk kishin ndjekur universitetin kishin më shumë gjasa të ndaloheshin nga policia, të paralajmëroheshin ose arrestoheshin dhe të paraqiteshin në gjykatë. Ata gjithashtu kishin më shumë gjasa të sulmoheshin dhe të përjetonin dhunë nga partneri.
Të rinjtë në Irlandën e Veriut raportuan nivelet më të larta të ndalimit nga policia (27%), ndërsa nivele më të ulëta u raportuan në Skoci (20%), Angli dhe Uells (18%). Në të kundërt, paraqitjet në gjykatë ishin më pak të zakonshme në Irlandën e Veriut krahasuar me vendet e tjera./mxh
