Last Updated on 17/04/2026 by Anisa
Shkrimtari Albatros Rexhaj ka reaguar pas debatit të fortë që ndodhi në studion e emisionit “Top Story” në Top Channel, midis analistit Alfred Lela dhe moderatores Grida Duma, që përfundoi me largimin e Lelës nga studio.
Në reagimin e tij, Rexhaj e vë theksin te mënyra se si zhvillohet debati publik dhe te kufijtë e etikës në komunikim, veçanërisht kur përballen mendime të kundërta në një studio televizive.
“Nëse nuk përballon dot fuqinë argumentuese të një gruaje, më mirë mos hyr fare në debat,” shprehet ai, duke nënvizuar rëndësinë e respektit dhe përmbajtjes në diskutimet publike.
Ai kritikon gjithashtu përdorimin e gjuhës fyese në debat, duke e konsideruar atë të papranueshme në çdo standard etik dhe shoqëror:
“T’i thuash një zonje ‘fute atë gisht…’ është përtej çdo kufiri që e lejon edhe etika më minimale. Kjo nuk qëndron as me kodet moderne të mirësjelljes, e aq më pak me kodet tona zakonore, të trashëguara ndër breza,” thekson Rexhaj.
Megjithëse pranon se nuk ndan të njëjtin stil me moderatoren Grida Duma, ai e sheh qëndrimin e saj në këtë rast si përfaqësues të një parimi më të gjerë të debatit publik:
“Grida Duma është një moderatore, stili i së cilës nuk është i preferuari im. Por në këtë përballje, ajo më përfaqëson edhe mua dhe këdo që nuk pranon të tërhiqet përballë argumenteve të dobëta,” shprehet ai.
