Last Updated on 17/04/2026 by EL
Xhoi Jakaj, sipërmarrëse dhe ish-drejtoreshë e Burgut të Grave në Tiranë, është rreshtuar në krah të politikanes dhe moderatores Grida Duma, pas debatit që ajo pati me drejtorin komunikimit në PD, Alfred Lela, i cili e ofendoi në mes të emisionit dhe u largua.
Shkruan Xhoi Jakaj:
Një përballje me burrat!
Debati në studion e Top Story nuk ishte thjesht një debat i zakonshëm televiziv, por u kthye në një moment që shumëkush e cilësoi si përballje të fortë mes etikës dhe arrogancës, mes dinjitetit dhe shpërthimit emocional.
Përplasja mes Grida Dumës dhe Alfred Lelës kaloi përtej argumenteve politike. Teksa debati tensionohej, gjuha e përdorur nga Lela kaloi kufijtë e komunikimit normal, duke e kthyer debatin në gjuhë fyese.
Në vend që të ruhej një standard minimal respekti, situata degradoi në një akt impulsiv, ku gazetari u ngrit nga studioja, duke përplasur mikrofonin dhe braktisur diskutimin, pra u vetëlargua!
Në këtë klimë tensioni, qëndrimi i Gridës u dallua qartë. Ajo nuk iu përgjigj me të njëjtën monedhë, nuk e uli nivelin e debatit dhe nuk u tërhoq përballë presionit.
Përkundrazi, qëndroi e vendosur dhe e përqendruar, duke mbrojtur jo vetëm veten, por edhe një standard që shpesh mungon në hapësirën publike.
Ky moment i bëri nder çdo debati televiziv, e pa dashur ta shndërroj në problem me bazë gjinie, i bëri nder edhe çdo gruaje, jo sepse ishte një përballje mes një burri pa etikë, dhe një gruaje me argumenta, e cila tregoi se dinjiteti nuk ka nevojë për zë të lartë, dhe forca nuk matet me shpërthime, por me vetëkontroll.
Grida gjithnjë di të vendos pikën mbi i….
Në fund, ajo që mbetet nuk është zhurma e mikrofonit të përplasur, por qetësia e një qëndrimi nga Grida Duma që nuk u thye!
Ngjarja ngre edhe një pyetje më të gjerë, çfarë model komunikimi po ofrohet në ekranet tona?
Sepse kur debati kthehet në fyerje dhe kur argumenti zëvendësohet nga reagimi emocional, humbet jo vetëm dialogu, por edhe besimi i publikut.
Kjo është arsyeja pse shumë e cituan si një moment ku një burrë u përball me një grua, dhe kjo e fundit fitoi pa pasur nevojë të bërtasë, edhe pse kishte të drejtën e gjithë botës ti kthehet me tone të ashpra gazetarit fyes, por përsëri ruajti etikën!
Këtë qëndrim e bëra jo thjesht për të përkrahur Griden, por se realisht e shikoj si një zë i fortë dhe e drejtë në çdo rast!
Solidariteti mes grave është thelbësor sepse vetëm duke mbështetur njëra-tjetrën mund të përballemi me padrejtësitë dhe paragjykimet që ende ekzistojnë në shoqërinë tonë jo pak maskiliste!
Kur gratë qëndrojnë bashkë, ato krijojnë një shembull pozitiv për brezat që vijnë, e kjo nuk është thjesht mbështetje morale, por një forcë reale që sjell ndryshim, emancipim dhe formëson mendësinë.
Grida, një grua e fortë, dhe e mençur, që nuk dorëzohet, por qëndron gjithmonë në vijë të parë!/et
