Kompania më e madhe në botë për prodhimin e prezervativëve, Karex me bazë në Malajzi, ka paralajmëruar një rritje të çmimeve deri në 20–30% ose edhe më shumë, nëse vazhdojnë ndërprerjet në zinxhirët globalë të furnizimit të shkaktuara nga tensionet dhe luftimet në rajonin e Iranit.
Drejtori ekzekutiv i kompanisë, Goh Miah Kiat, deklaroi në intervista për Reuters dhe Bloomberg se kostot e prodhimit janë rritur ndjeshëm që nga fillimi i konfliktit, duke e bërë të pashmangshme transferimin e këtyre shpenzimeve te konsumatorët.
Karex prodhon mbi 5 miliardë prezervativë në vit dhe furnizon marka të njohura globale si Durex dhe Trojan, si dhe institucione publike shëndetësore, përfshirë Shërbimin Kombëtar të Shëndetësisë në Mbretërinë e Bashkuar (NHS). Kompania eksporton në mbi 130 vende.
Sipas drejtuesit të saj, rritja e kostove lidhet me ndërprerjet në furnizimin me lëndë të para të derivuara nga nafta, si amoniaku dhe silikonet, të cilat përdoren në prodhimin e lateksit dhe lubrifikantëve.
Kriza në ngushticën e Hormuzit, një rrugë kyçe për transportin global të naftës dhe gazit, ka ndikuar në rreth një të pestën e furnizimit botëror me naftë bruto dhe LNG, duke shkaktuar rritje të çmimeve dhe vonesa në transport.
Përveç industrisë së prezervativëve, janë prekur edhe sektorë të tjerë si transporti ajror, bujqësia dhe prodhimi industrial, për shkak të rritjes së çmimeve të karburanteve dhe mungesës së lëndëve të para si heliumi dhe naphtha.
Goh theksoi gjithashtu se kërkesa për prezervativë është rritur me rreth 30% këtë vit, ndërsa vonesat në transport kanë krijuar mungesa në disa tregje. Sipas tij, pasiguria ekonomike shpesh rrit përdorimin e produkteve të tilla.
Ekspertët paralajmërojnë se përshkallëzimi i krizës mund të ndikojë më gjerë në ekonominë globale, duke rritur çmimet e mallrave të konsumit dhe duke ulur fuqinë blerëse të qytetarëve në shumë vende./mxh
