Vladimir Soloviev është një nga figurat më të njohura dhe më të diskutueshme të propagandës ruse në televizionin shtetëror Rossija 1, ku ai drejton emisione politike që nga viti 2010.
I njohur për stilin e tij agresiv, vulgar dhe shpesh provokues, ai konsiderohet një nga zërat më të fortë mediatikë në mbështetje të politikave të Kremlinit dhe të presidentit rus Vladimir Putin.
Në gusht 2023, pas vdekjes së kontroversit Evgenij Prigozhin, themeluesit të grupit Wagner, Soloviev reagoi në mënyrë të ashpër duke mohuar çdo krahasim të Rusisë me një “mafie” apo “bandë kriminale”. Ai deklaroi se Rusia është një shtet që funksionon bazuar në ligje, duke mbrojtur linjën zyrtare të Kremlinit, pavarësisht akuzave dhe polemikave ndërkombëtare.
Soloviev shpesh kritikohet për retorikën e tij ekstreme, ku nuk mungojnë thirrjet për përshkallëzim të luftës dhe sulmet verbale ndaj vendeve perëndimore. Sipas analistëve, ai nuk është thjesht një gazetar, por një “puthador” i pushtetit rus, që përshtat narrativën e tij me interesat politike të momentit. Në disa raste, ai ka ndryshuar qëndrime në mënyrë drastike, duke kaluar nga deklarata më të moderuara në qëndrime të forta nacionaliste dhe agresive.
I lindur në një familje të inteligjencës sovjetike, Soloviev ka një formim akademik në fizikë dhe kimi dhe ka kaluar një periudhë si pedagog në SHBA në fillim të viteve ’90. Pas rënies së Bashkimit Sovjetik, ai u pasurua në biznes dhe media, duke u shndërruar në një figurë të njohur publike në Rusi. Ai është gjithashtu i njohur për jetën e tij luksoze dhe investimet jashtë vendit, përfshirë një vilë të madhe në liqenin e Komos në Itali, e cila më vonë është bllokuar për shkak të sanksioneve ndërkombëtare.
Rruga e tij drejt televizionit shtetëror u lehtësua nga lidhjet politike dhe miqësitë e hershme me figura të rëndësishme të sistemit rus. Ai u bë një nga fytyrat kryesore të mediave pro-Kremlinit, duke ndihmuar në formësimin e narrativës zyrtare për ngjarje të ndryshme, përfshirë konfliktin në Ukrainë dhe marrëdhëniet me Perëndimin.
Sot, Soloviev shihet si një simbol i propagandës moderne ruse: një figurë televizive që ndërthur spektaklin, agresivitetin verbal dhe mesazhet politike, duke ndikuar drejtpërdrejt në opinionin publik brenda Rusisë./mxh
