Aktori dhe komediani britanik Russell Brand ka pranuar publikisht se në të kaluarën ka pasur një marrëdhënie seksuale me një vajzë 16-vjeçare, duke e përshkruar sot atë si “shfrytëzuese” për shkak të diferencës së madhe mes tyre.
Deklarata u bë gjatë një interviste në “The Megyn Kelly Show” më 22 prill, ku Brand, 50 vjeç, foli për jetën e tij personale dhe sfidat që ka hasur në qendër të vëmendjes publike. Ai theksoi se marrëdhënia në fjalë kishte qenë konsensuale dhe e ligjshme sipas ligjeve të Mbretërisë së Bashkuar, ku mosha e pëlqimit është 16 vjeç.
“Kam fjetur me një 16-vjeçare kur isha 30 vjeç,” u shpreh ai, duke shtuar se në atë kohë ishte një person shumë ndryshe dhe emocionalisht i papjekur. Megjithatë, ai pranoi se sjellja e tij kishte qenë e papërgjegjshme dhe e përqendruar tek vetja, duke mos marrë parasysh ndikimin te pala tjetër.
Kjo deklaratë vjen në një moment kur Brand përballet me akuza të rënda penale në Mbretërinë e Bashkuar, përfshirë disa raste përdhunimi dhe sulm seksual Ai ka deklaruar pafajësinë për të gjitha akuzat.
Një nga gratë që e akuzojnë, e identifikuar me pseudonimin “Alice”, pretendon se kishte qenë në një marrëdhënie me të kur ishte ende në shkollë në vitin 2006. Ajo e akuzon aktorin për sjellje kontrolluese dhe manipulim, duke pretenduar se ai madje kishte organizuar transport për ta marrë nga shkolla gjatë orëve të mësimit.
Sipas raportimeve, ajo kishte kontaktuar agjentin e Brand në vitin 2020 për të denoncuar sjelljen e tij.
Në vitin 2023, Brand kishte publikuar një video ku i mohonte kategorikisht të gjitha akuzat, duke këmbëngulur se marrëdhëniet e tij kishin qenë gjithmonë konsensuale.
Procesi gjyqësor ndaj tij pritet të nisë më 12 tetor 2026, ndërsa një seancë paraprake dyditore është caktuar për 16 dhe 17 qershor.
Ndërkohë, vetëm pak muaj para gjyqit, Brand ka publikuar një libër të ri me temë shpirtërore, ku flet për konvertimin e tij në krishterim dhe distancimin nga jeta e mëparshme në industrinë e argëtimit./mxh
