Bashkimi Evropian i ka dhuruar Prokurorisë së Përgjithshme një paketë pajisjesh teknologjike dhe rrjeti me vlerë 240 mijë euro, duke shënuar një hap të rëndësishëm në dixhitalizimin e sistemit të drejtësisë në Shqipëri.
Ky investim, i cili përfshin furnizimin, instalimin dhe mbështetjen teknike, synon të forcojë sigurinë kibernetike dhe të rrisë efikasitetin e zyrave të prokurorisë në të gjithë vendin.
Gjatë ceremonisë, Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, vlerësoi bashkëpunimin me partnerët dhe respektimin e afateve, ndërsa përfaqësuesit e BE-së dhe UNOPS-it theksuan se kjo infrastrukturë moderne është themeli për Sistemin e ri të Menaxhimit të Çështjeve. Ky sistem do ta bëjë procesin gjyqësor më të shpejtë, më transparent dhe më të aksesueshëm për qytetarët.
Ky donacion është pjesë e projektit më të gjerë “EU4Digital Justice”, një iniciativë 4-vjeçare me buxhet prej 7.5 milionë eurosh e financuar nga BE dhe e zbatuar nga UNOPS.
Projekti synon transformimin rrënjësor të drejtësisë përmes inovacionit dixhital dhe përafrimin e institucioneve shqiptare me standardet evropiane të sundimit të ligjit./mxh
