Rritja e fortë e çmimeve të karburantit për avionë, e nxitur nga tensionet në Lindjen e Mesme dhe kufizimet në Ngushticën e Hormuzit, po godet industrinë globale të aviacionit dhe pritet të ndikojë drejtpërdrejt në sezonin veror të udhëtimeve.
Sipas raportimeve të “Reuters”, çmimi i karburantit për avionë është rritur ndjeshëm në javët e fundit, duke kaluar nga 85–90 dollarë për fuçi në deri 150–200 dollarë. Kjo rritje përbën një goditje të rëndë për linjat ajrore, pasi karburanti përbën rreth 25% të kostove të tyre operative.
Ekspertja e aviacionit Anita Mendiratta thekson se industria po përballet me një situatë të dyfishtë: rritje të çmimeve dhe probleme serioze në furnizim.
Sipas saj, ndërprerjet në Ngushticën e Hormuzit nuk prekin vetëm transportin e naftës, por edhe zinxhirin e përpunimit. Nafta bruto që kalon në këtë zonë duhet të rafinohet për t’u kthyer në karburant për avionë, dhe ky proces është dëmtuar nga konflikti.
Europa pritet të jetë ndër rajonet më të goditura, për shkak të varësisë së lartë nga furnizimet që vijnë nga Lindja e Mesme.
Kompania ajrore Lufthansa ka njoftuar se do të reduktojë rreth 20 mijë fluturime me distanca të shkurtra deri në tetor, ndërsa operatori turistik TUI ka ulur parashikimet për fitimet për shkak të pasigurive në treg.
Ndërkohë, kompani si easyJet dhe Wizz Air kanë paralajmëruar për ndikim negativ në operacionet e tyre.
Ekspertët paralajmërojnë se udhëtarët do ta ndiejnë këtë situatë përmes: rritjes së çmimeve të biletave, reduktimeve të fluturimeve, ofertave më të kufizuara.
Me kërkesën që rritet gjatë sezonit veror dhe furnizimin që mbetet i paqëndrueshëm, presioni mbi tregun pritet të shtohet.
Edhe nëse tensionet ulen, rikthimi në normalitet nuk do të jetë i menjëhershëm. Rindërtimi i zinxhirëve të furnizimit dhe rikthimi i besimit të udhëtarëve kërkon kohë.
Sipas ekspertëve, përvoja nga pandemia COVID-19 tregon se kërkesa për udhëtime mund të rikthehet shpejt, por stabilizimi i plotë i tregut mbetet një proces më i gjatë.
Në këto kushte, kriza aktuale shihet si një provë e rëndësishme për industrinë globale të aviacionit, në një nga periudhat më të rëndësishme të vitit për udhëtimet./ Kb
