Palestinezët kanë votuar këtë të shtunë, 25 prill, në zgjedhje lokale që për herë të parë në dy dekada përfshijnë edhe Gazën, në një proces që synon të tregojë gjendjen politike në territor, ndërsa qeveria izraelite vazhdon të kundërshtojë krijimin e një shteti palestinez.
Autoriteti Palestinez (PA), me bazë në Bregun Perëndimor, shpreson që përfshirja simbolike e qytetit të Gazës, Deir al-Balah, do të forcojë pretendimet e tij për qeverisje në Gaza, nga e cila u përjashtua nga Hamas në vitin 2007.
Një nga votuesit, Mamdouh al-Bhaisi, 52 vjeç, thotë: Si palestinez dhe si banor i Rripit të Gazës, ndihem krenar që pas kësaj lufte procesi demokratik po rikthehet.
Që nga armëpushimi i ndërmjetësuar nga SHBA-të në tetor 2025, negociatat për një zgjidhje të qëndrueshme kanë bërë pak përparim. Plani i diskutuar përfshin një administrim ndërkombëtar të Gazës dhe një shtet të pavarur palestinez që do të përfshinte Gazën, Jerusalemin Lindor dhe Bregun Perëndimor.
Zyrtarë perëndimorë dhe arabë mbështesin rikthimin e Autoritetit Palestinez në Gaza, ndërsa zgjedhjet lokale shihen si hap i mundshëm drejt zgjedhjeve kombëtare, të cilat nuk janë mbajtur prej gati dy dekadash.
Në të njëjtën kohë, Autoriteti Palestinez po përballet me krizë financiare, pasi Izraeli ka ndaluar transferimin e disa të ardhurave tatimore, duke rritur frikën për kolaps ekonomik.
Nga ana tjetër, disa fraksione palestineze kanë bojkotuar zgjedhjet, duke kundërshtuar kushtin që kandidatët të mbështesin marrëveshjet e PA-së, përfshirë njohjen e Izraelit.
Hamas, që kontrollon Gazën prej gati 20 vitesh, nuk ka paraqitur kandidatë zyrtarë, por disa lista në Deir al-Balah dyshohet se janë të lidhura me të. Analistët thonë se rezultati i këtyre kandidatëve mund të tregojë nivelin e mbështetjes për Hamasin.
Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, më shumë se 1 milion palestinezë kishin të drejtë vote, përfshirë rreth 70 mijë në Gaza, ndërsa rezultatet pritet të shpallen sot ose të dielën, 26 prill./mxh
