Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, ka reaguar me ironi pas debatit të krijuar në sallën e Gjykatës së Posaçme (GJKKO), ku prokurori Ols Dado e ka krahasuar ambientin ku mbahet i pandehuri Erion Veliaj me “një hotel me 5 yje”.
Manjani e ka konsideruar këtë deklaratë si absurde dhe e ka çuar më tej ironinë, duke propozuar një “model të ri” të sallave të gjykimit.
“Meqë GJKKO me një kafaz xhami të blinduar është ‘hotel me 5 yje’, mund ta bëjmë me 7. Fusim edhe prokurorët në një kafaz tjetër me xham të blinduar… Ta bëjmë gjykatën kopësht zoologjik arinjsh juridikë,” ka shkruar ai në reagimin e tij publik.
Reagimi i Manjanit vjen pas një debati të zhvilluar në seancë gjyqësore, ku është diskutuar mënyra e qëndrimit të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, gjatë procesit.
Sipas raportimeve nga seanca, avokati i Veliajt, Plarent Ndreca, ka kërkuar që klienti i tij të mos mbahet në strukturën prej xhami të sigurisë gjatë zhvillimit të procesit gjyqësor, duke e konsideruar të panevojshme dhe të papërshtatshme.
Nga ana tjetër, prokurori Ols Dado ka kundërshtuar këtë kërkesë, duke argumentuar se struktura nuk është një “kafaz”, por një kabinë sigurie me xham të blinduar dhe hapësirë komunikimi.
“Nuk është kafaz, por një strukturë xhami dhe ka një të çarë që mundëson komunikimin. Kushtet e GJKKO janë shumë të mira, si në një hotel me 5 yje,” është shprehur Dado gjatë seancës, sipas raportimeve.
Deklarata e tij ka sjellë reagim në sallë, dhe gjykata i ka tërhequr vëmendjen prokurorit për mënyrën e krahasimit të kushteve të gjykatës.
Debati për kushtet e sigurisë në sallën e gjyqit ka hapur diskutime më të gjera mbi standardet dhe mënyrën e zhvillimit të seancave në GJKKO.
Reagimi i plotë:
