Kryeministri britanik Keir Starmer e ka cilësuar “thellësisht shqetësues” sulmin me thikë ndaj dy personave në London, duke theksuar se ngjarja ka alarmuar të gjithë Parlamentin britanik.
Duke folur para deputetëve, Starmer tha se ishte informuar për incidentin përpara seancës së pyetjeve në parlament dhe nënvizoi se tashmë ka nisur një hetim nga policia. Ai u bëri thirrje të gjitha institucioneve dhe shoqërisë që të mbështesin hetimet dhe të tregojnë vendosmëri për të luftuar këto akte dhune, të cilat, sipas tij, janë shtuar kohët e fundit.
Ndërkohë, deputetja për zonën e Hornsey dhe Friern Barnet, Catherine West, shprehu shqetësimin për dhunën e përsëritur ndaj komunitetit hebre. Ajo deklaroi se këto sulme duhet të dënohen pa ekuivok dhe uroi që autorët të vihen sa më shpejt para drejtësisë.
Ngjarja vjen në një klimë tensionesh në rritje, ndërsa autoritetet britanike po përballen me një valë incidentesh të lidhura me antisemitizmin. Hetimet për zbardhjen e plotë të sulmit janë në vijim./mxh
