Ish-presidenti i Republikës dhe kreu aktual i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka reaguar nga qelia nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, lidhur me raportin për lirinë e medias dhe përkeqësimin e tij, pasi Shqipëria humbi tre vende.
Ai thekson se nuk mund të shkosh në BE me standarde të përkeqësuara në të gjitha fushat, përfshi edhe atë të lirisë së mediave, ku përfshin edhe pengimin e transparencës së procesit të tij gjyqësor.
“Sot nuk ka prioritet më të rëndësishëm për Shqipërinë se sa lufta kundër korrupsionit dhe transparenca në llogaridhënie. Ndaj inisistoj edhe njëherë për domosdoshmërinë e transparencës maksimale për procesin e gjykimit ndaj meje sepse e vlerësoj me interes të lartë për publikun” shprehet ai mes të tjerash.
Meta nënvizon se Shqipëria ndodhet larg standardeve dhe është në “pikiatë”.
“Si mund të bësh hapa para drejt Bashkimit Europian kur të gjitha standardet, jo vetëm të shtetit ligjor dhe luftës kundër korrupsionit, por edhe të lirisë së mediave dhe shprehjes shkojnë pikiadë”, shkruan kreu i PL, i arrestuar prej 21 tetorit 2024.
Postimi i plotë i Ilir Metës:
“Pas raportit të “Transparency International” ku Shqipëria shënoi një rritje skandaloze të korrupsionit duke përkeqësuar renditjen e saj me 11 vende, natyrisht që do të dilte dhe raporti i “Reporterëve pa Kufij” për përkeqësimin e lirisë së medias.
Është e rëndësishme të evidentohet se në këtë raport theksohet se edhe për shkak të disa vendimeve gjyqësore, mediave u është ndaluar të raportojnë për çështje të ndjeshme me interes publik.
Sot nuk ka prioritet më të rëndësishëm për Shqipërinë se sa lufta kundër korrupsionit dhe transparenca në llogaridhënie.
Ndaj inisistoj edhe njëherë për domosdoshmërinë e transparencës maksimale për procesin e gjykimit ndaj meje sepse e vlerësoj me interes të lartë për publikun.
Si mund të bësh hapa para drejt Bashkimit Europian kur të gjitha standardet, jo vetëm të shtetit ligjor dhe luftës kundër korrupsionit, por edhe të lirisë së mediave dhe shprehjes shkojnë pikiadë”./kb
