Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, António Guterres kritikoi kufizimet në Ngushticën e Hormuzit, e cila sipas tij po pengon furnizimin me naftë, gaz, plehra dhe mallra të tjera kritike dhe po e mbyt ekonominë globale.
Duke përcaktuar tre trajektore të mundshme, Guterres tha se edhe nëse kufizimet në transportin detar dhe tregtinë hiqen menjëherë, zinxhirët e furnizimit do të duhen muaj për t’u rikuperuar, me rritjen globale që bie nga 3.4 në 3.1 përqind, inflacionin që rritet në 4.4 përqind dhe tregtinë që ngadalësohet ndjeshëm.
“Dhe një botë që ende po përjeton tronditjet e një pandemie dhe luftës në Ukrainë do të përballojë vështirësi të mëtejshme ekonomike. Ky është skenari më i mirë”, tha ai.
Guterres theksoi përpjekjet diplomatike që po kryhen nga kreu i Shërbimeve të Projekteve të OKB-së (UNOPS), i cili po udhëheq Task Forcën e OKB-së në ngushticë, për të siguruar një korridor të mundshëm humanitar.
Kreu i organizatës detare të OKB-së, IMO, po zhvillon gjithashtu një kornizë për evakuimin e anijeve dhe detarëve nëse mund të garantohet kalimi i sigurt.
Nëse ndërprerjet që rrjedhin nga sulmet dhe kërcënimet iraniane dhe bllokada amerikane e porteve iraniane vazhdojnë deri në mesin e vitit, pasojat do të thellohen ndjeshëm , vazhdoi Guterres.
“Tridhjetë e dy milionë njerëz janë shtyrë drejt varfërisë; plehrat kimike pakësohen dhe rendimentet e të korrave bien; 45 milionë njerëz të tjerë përballen me uri ekstreme; dhe fitimet e zhvillimit të fituara me mund u përmbysën brenda natës. Në skenarin më të keq, ku ndërprerjet e rënda vazhdojnë deri në fund të vitit, ne përballemi me spektrin e një recesioni global – me ndikime dramatike te njerëzit, në ekonomi dhe në stabilitetin politik dhe social”, paralajmëroi ai.
Sekretari i OKB-së bëri thirrje për hapjen e Ngushticës së Hormuzit për të marrë frymë sërish ekonomia globale.
“Mesazhi im për të gjitha palët është i qartë: Të drejtat dhe liritë e lundrimit duhet të rivendosen menjëherë… Hapni Ngushticën. Le të kalojnë të gjitha anijet. Le të marrë frymë përsëri ekonomia globale”, bëri thirrje Guterres./mxh
