Marrëdhëniet mes Ukrainës dhe Izraelit kanë qenë përgjithësisht miqësore dhe bashkëpunuese, por së fundmi janë tensionuar për shkak të një mosmarrëveshjeje mbi eksportin e dyshuar të drithërave të vjedhura nga Rusia në territoret ukrainase të pushtuara.
Gjithçka nisi pas një postimi në Facebook nga gazetarja Kateryna Yaresko, e projektit SeaKrime, pjesë e Qendrës Myrotvorets, një organizatë që heton krimet kundër sigurisë kombëtare të Ukrainës.
Më 12 prill, ajo raportoi se anija ruse “Abinsk” kishte mbërritur në portin e Haifës në Izrael me një ngarkesë prej rreth 43 765 ton grurë, të cilin ajo e cilësoi si të marrë nga territoret e pushtuara të Ukrainës. Sipas saj, anija ishte ngarkuar në portin “Kaukasus” dhe origjina e mallit lidhej me zonat e pushtuara ukrainase.
Në atë moment, këto pretendime nuk ishin të konfirmuara zyrtarisht.
Porti i Haifa
Dy javë më vonë, Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Andriy Sybiha, deklaroi se një tjetër anije me drithëra të dyshuara si të vjedhura kishte mbërritur në Izrael, çka çoi edhe në thirrjen e ambasadorit izraelit në Ministrinë e Jashtme të Ukrainës. Ai kritikoi Izraelin për mungesë reagimi dhe paralajmëroi se Ukraina nuk do të lejonte importimin e mallrave të vjedhura, duke theksuar se kjo dëmton marrëdhëniet mes dy vendeve.
Nga ana tjetër, Ministri i Jashtëm i Izraelit, Gideon Saar, deklaroi se nuk ishin paraqitur prova të mjaftueshme për këto pretendime dhe se çështja po hetohej. Ai theksoi gjithashtu se Ukraina nuk kishte kërkuar më parë ndihmë ligjore përmes kanaleve zyrtare, duke kritikuar komunikimin përmes mediave dhe rrjeteve sociale.
Andriy Sybiha
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky reagoi duke theksuar se blerja e mallrave të vjedhura përbën shkelje ligjore dhe se Rusia po eksporton sistematikisht drithëra nga territoret e pushtuara. Ai paralajmëroi se Ukraina po përgatit një paketë sanksionesh ndaj të gjitha subjekteve të përfshira në këtë aktivitet, në bashkëpunim me partnerët evropianë.
Ekspertët izraelitë dhe ukrainas theksojnë se problemi kryesor qëndron te vështirësia për të provuar origjinën e drithërave, pasi ato shpesh përzihen me prodhim rus dhe më pas shiten si mall i ligjshëm në tregjet ndërkombëtare. Kjo e bën të komplikuar ndërhyrjen ligjore dhe bllokimin e ngarkesave.
Sipas autoriteteve ukrainase, ambasada e tyre në Izrael ka dorëzuar informacione dhe të dhëna të inteligjencës mbi rrugët dhe ngarkesat e dyshuara, por Kievi pretendon se reagimi izraelit ka qenë i pamjaftueshëm.
Gideon Saar
Në fund të prillit, Ukraina njoftoi se kishte kërkuar ndihmë ligjore nga Izraeli për ndalimin dhe verifikimin e një tjetër anijeje të dyshuar, “Panoramitis”, duke kërkuar sekuestrimin e dokumenteve, marrjen e mostrave të ngarkesës dhe marrjen në pyetje të ekuipazhit.
Sipas prokurorisë ukrainase, që nga fillimi i luftës, mbi 1.7 milion ton produkte bujqësore me vlerë rreth 388 milionë euro janë eksportuar ilegalisht nga territoret e pushtuara.
Më 30 prill, u raportua se një kompani izraelite ka refuzuar të pranojë një ngarkesë të dyshuar si të vjedhur, duke bërë që anija të largohet nga porti i Haifës. Ambasadori ukrainas në Izrael e cilësoi këtë si një sukses diplomatik dhe një sinjal të fortë për nisjen e veprimeve konkrete kundër këtyre praktikave./mxh
