Irani ka konfirmuar se ka marrë një përgjigje nga Shtetet e Bashkuara për propozimin e tij të fundit për bisedime paqeje, ndërsa presidenti Donald Trump ka paralajmëruar se mund ta refuzojë atë.
Sipas mediave shtetërore iraniane, përgjigjja e Uashingtonit është përcjellë përmes Pakistanit, ndërsa autoritetet në Iran po e shqyrtojnë dokumentin. Nga ana tjetër, nuk ka ende një konfirmim zyrtar nga Uashingtoni apo Islamabadi për këtë zhvillim.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmaeil Baghaei, deklaroi se aktualisht nuk ka negociata bërthamore në zhvillim, duke lënë të kuptohet se Teherani kërkon që bisedimet për programin bërthamor të shtyhen për një fazë të mëvonshme, pas përfundimit të konfliktit dhe zgjidhjes së tensioneve në Gjirin Persik.
Ndërkohë, Trump u shpreh se ende nuk e ka shqyrtuar në detaje propozimin, por shtoi se është e vështirë të pranohet, duke argumentuar se Irani “nuk ka paguar një çmim mjaftueshëm të madh” për veprimet e tij ndër vite. Ai nuk përjashtoi as mundësinë e rifillimit të sulmeve, nëse situata përkeqësohet.
Propozimi iranian me 14 pika përfshin kërkesa për tërheqjen e forcave amerikane nga rajoni, heqjen e sanksioneve, lirimin e aseteve të ngrira dhe zgjidhjen e krizës së transportit detar, përfshirë situatën në Ngushtica e Hormuzit, e cila vijon të mbetet e bllokuar dhe ka ndikuar ndjeshëm në furnizimet globale me energji.
Nga ana tjetër, Uashingtoni kërkon që Teherani të pranojë kufizime të rrepta mbi programin e tij bërthamor, përfshirë heqjen dorë nga rezervat e uraniumit të pasuruar, përpara çdo marrëveshjeje përfundimtare.
Situata mbetet e tensionuar edhe në rajon, pasi Izraeli ka urdhëruar evakuimin e banorëve në jug të Libani, në kuadër të përshkallëzimit të përplasjeve me Hezbollahun, një zhvillim që rrezikon të komplikojë më tej përpjekjet për paqe në Lindjen e Mesme./mxh
