Mbrëmja më e pritur e modës, Met Gala 2026, u mbajt më 4 maj në New York, duke tërhequr vëmendjen globale me paraqitjet spektakolare të të famshmëve. Mes shumë veshjeve ekstravagante, një nga momentet që bëri më shumë bujë ishte padyshim ai i Bad Bunny, i cili u shfaq i transformuar si një burrë i moshuar.
Artisti portorikan, emri i vërtetë i të cilit është Benito Antonio Martínez Ocasio, habiti publikun me një pamje krejtësisht të pazakontë: flokë gri, grim me efekte protezash dhe një bastun elegant bardhë e zi. Ai madje bëri shaka në tapetin e kuq duke thënë se për t’u bërë gati iu deshën “53 vite”.
Tema e këtij viti, “Costume Art”, eksploronte modën si një formë arti të mishëruar. Brenda kësaj teme, një nga seksionet kryesore ishte “The Aging Body” (Trupi që plaket), dhe pikërisht këtu lidhet zgjedhja artistike e Bad Bunny-t.
Ai veshi një kostum të zi të dizajnuar në bashkëpunim me markën Zara, i frymëzuar nga vepra “Bustle” (1947) e stilistit legjendar Charles James, pjesë e koleksionit të përhershëm të Costume Institute. Pamja u plotësua me një bastun të zi me detaje ari, duke i dhënë karakter edhe më të fortë transformimit.
Sipas ekipit të tij dhe artistit të grimit Mike Marino, qëllimi ishte të paraqitej një version i Bad Bunny-t rreth 50 vite më i vjetër, duke reflektuar mbi kalimin e kohës dhe ndikimin e tij në trupin e njeriut.
Ky interpretim artistik kishte një mesazh të thellë: industria e modës shpesh fokusohet tek rinia dhe injoron plakjen, ndërsa kjo paraqitje synonte të sfidonte pikërisht këtë realitet dhe të përballte publikun me idenë e mortalitetit.
Në këtë mënyrë, Bad Bunny nuk solli vetëm një nga pamjet më të veçanta të mbrëmjes, por edhe një nga mesazhet më prekëse, duke e kthyer modën në një reflektim mbi jetën, kohën dhe identitetin./mxh
