Aktori australian Jacob Elordi nuk do të marrë pjesë në Festivalin e Filmit në Kanë këtë vit, pasi është detyruar të tërhiqet për arsye shëndetësore.
Sipas raportimeve të Page Six, Elordi ka pësuar një dëmtim serioz në këmbë, që përfshin një frakturë, duke e bërë të pamundur angazhimin e tij në festival. Ai ishte përfolur si një nga emrat që mund t’i bashkohej jurisë së edicionit të 79-të, por planet e tij u ndryshuan në minutën e fundit.
Detyrat e anëtarëve të jurisë në Kanë përfshijnë jo vetëm shikimin e filmave në konkurrim, por edhe pjesëmarrjen në një agjendë intensive me premiera, konferenca për shtyp dhe evente të ndryshme në Croisette, gjë që e bën të vështirë përfshirjen e Elordit në këtë gjendje.
Juria e këtij viti do të drejtohet nga regjisori i njohur Park Chan-wook, një figurë e shquar e kinemasë koreano-jugore, i njohur për filma si Oldboy dhe Decision to Leave.
Në përbërje të saj janë edhe emra të mëdhenj të industrisë si Demi Moore, Chloé Zhao, Stellan Skarsgård, Ruth Negga, Laura Wandel, Diego Céspedes, Isaac De Bankolé dhe Paul Laverty.
Festivali i Filmit në Kanë do të zhvillohet nga 12 deri më 23 maj, duke sjellë premierat e disa prej filmave më të pritur të vitit nga regjisorë të njohur botërorë./mxh
