Aktorja e njohur amerikane Angelina Jolie ka vendosur të shesë rezidencën e saj luksoze në Los Angeles për rreth 30 milionë dollarë.
Prona ndodhet në një sipërfaqe prej rreth 8093 metrash katrorë dhe ofron pamje panoramike mbi kodrat e Hollywood-it si dhe mbi Observatorin Griffith, një nga zonat më të njohura të qytetit.
Shtëpia historike, e ndërtuar në vitin 1913, është projektuar nga arkitekti B. Cooper Corbett, i njohur për përdorimin inovativ të betonit dhe për projektimin e rezidencave luksoze në atë periudhë. Prona ka një histori të pasur, pasi u ble në vitin 1916 nga producenti legjendar Cecil B. DeMille, një nga figurat më të rëndësishme të kinemasë klasike amerikane.
DeMille, i njohur për filma epikë si “The Ten Commandments” dhe “Samson and Delilah”, e zgjeroi më tej pronën duke përfshirë edhe rezidencën ngjitur, e cila më parë kishte qenë shtëpia e aktorit Charlie Chaplin. Familja DeMille e mbajti pronën deri në fund të viteve ’80, duke e bërë atë një nga rezidencat me historinë më të pasur në zonë.
Sipas raportimeve të Wall Street Journal, Angelina Jolie e bleu këtë pronë në vitin 2017 për 24,5 milionë dollarë, pas ndarjes nga aktori Brad Pitt. Blerja e saj u bë në një periudhë të vështirë personale për aktoren, e cila po kalonte procesin e divorcit.
Rezidenca përfshin disa struktura luksoze, si një vilë ndihmëse, pishinë, palestër moderne dhe një dhomë çaji elegante. Hapësirat e gjera dhe privatësia e lartë e kanë bërë atë një nga pronat më të veçanta në zonën e Hollywood-it.
Në vitet e fundit, kanë qarkulluar zëra se Jolie mund të largohej nga Los Angeles. Këto spekulime u forcuan pas një interviste të saj në vitin 2024 për “The Hollywood Reporter”, ku ajo u shpreh se ndodhej në qytet “vetëm sepse ishte e detyruar për shkak të çështjeve të divorcit”.
Shitja e kësaj prone shihet nga shumë si një hap i ri në jetën e saj personale dhe profesionale, duke hapur mundësinë për një fillim të ri larg qytetit, ku ka kaluar një pjesë të madhe të karrierës dhe jetës familjare./mxh
