Një gjykatë në Bolivi ka thirrur ish-presidentin Evo Morales në seancën e parë të gjyqit ndaj tij për trafikim të dyshuar të një të miture, por procesi rrezikon të shtyhet pasi avokatët e tij pretendojnë se nuk janë njoftuar zyrtarisht. Sipas prokurorisë, Morales, i cili drejtoi vendin nga viti 2006 deri në 2019, dyshohet se kishte një lidhje me një vajzë 15-vjeçare në vitin 2015, gjatë kohës që ishte ende president. Nga kjo marrëdhënie, sipas aktakuzës, ka lindur edhe një vajzë.
Hetuesit pretendojnë se prindërit e adoleshentes kishin dhënë pëlqimin e tyre në këmbim të favoreve dhe privilegjeve politike.
“Fillimi i gjyqit kundër ish-presidentit Evo Morales është konfirmuar për të hënën, me praninë e tij”, deklaroi gjatë një konference për shtyp gjyqtari Luis Ortiz Flores, në rajonin e Tarija, ku pritet të zhvillohet procesi gjyqësor. Megjithatë, avokati i Moralesit, Wilfredo Chavez, tha se as klienti i tij dhe as mbrojtja nuk do të paraqiten.
“Nuk mund të shkojmë, pasi nuk jemi njoftuar”, deklaroi ai për AFP, duke shtuar se gjykata nuk e kishte dërguar thirrjen në rezidencën e ish-presidentit, por vetëm e kishte publikuar atë në media.
Morales, 66 vjeç, presidenti i parë indigjen në historinë e Bolivisë, qëndron i fshehur që nga viti 2024 në rajonin Chapare, bastioni i tij politik dhe zonë e njohur për prodhimin e kokës, për t’i shmangur arrestimin pas një urdhër-arresti të lëshuar ndaj tij. Sipas mediave lokale, mijëra mbështetës indigjenë kanë krijuar një lloj mbrojtjeje përreth tij për të penguar ndërhyrjen e policisë. Në janar 2025, pas mungesës së tij në një seancë dëgjimore, gjykata e akuzoi Moralesin për mosbindje, duke pezulluar përkohësisht procedurat deri në paraqitjen ose arrestimin e tij.
Gjyqtari Ortiz Flores theksoi se në Bolivi vetëm çështjet për korrupsion mund të zhvillohen në mungesë të të akuzuarit, ndaj mbetet në dorën e gjykatës të vendosë nëse procesi ndaj Moralesit mund të vazhdojë pa praninë e tij. Edhe mbrojtja e ish-presidentit argumenton se prania e tij është e domosdoshme sipas Konventës Ndëramerikane për të Drejtat e Njeriut, për t’i garantuar atij të drejtën për t’u dëgjuar dhe për të paraqitur mbrojtjen para gjykatës./kb
