Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu ka deklaruar se lufta në Irani nuk ka mbaruar për shkak se sipas tij ende duhen marrë nga rezervat e uraniumit të pasuruar Iranian.
“Lufta ka lejuar që të arrihen shumë gjëra, por nuk ka mbaruar, sepse ende ka material bërthamor, uranium të pasuruar, që ne duhet ta marrim nga Irani”, tha Netanyahu në një intervistë për CBS, duke shtuar se ka edhe objekte pasurimi që duhen shkatërruar.
I pyetur se si planifikon të nxjerë uraniumin nga Irani, ai tha: “Do të shkojmë dhe do ta marrim.”
“Ajo që më tha Presidenti Trump është: ‘Dua të shkoj dhe mendoj se është praktikisht e mundur. Ky nuk është problemi. Nëse kemi një marrëveshje, le të shkojmë dhe ta marrim, pse jo? Kjo është zgjidhja më e mirë”, shtoi ai.
Ai shtoi se një marrëveshje diplomatike do të ishte mënyra më e mirë për të realizuar këtë proces. I pyetur se çfarë do të ndodhë nëse nuk arrihet marrëveshje me Iranin për programin bërthamor, Netanyahu nuk dha detaje konkrete.
“Është një mision jashtëzakonisht i rëndësishëm”, u shpreh kryeministri izraelit, pa përcaktuar afate kohore për zhvillimet e ardhshme.
Deklarata e Netanyahu-t vjen në një moment tensionesh të larta në Lindjen e Mesme, ndërsa vazhdojnë përpjekjet diplomatike për armëpushim dhe negociata mbi programin bërthamor iranian./mxh
