Në përpjekje për të injoruar vlerësimin e organizatës Reporterë pa Kufij mbi gjendjen e medias në Shqipëri si “opinion”, kryeministri Edi Rama ofroi idetë e tij mbi çfarë duhet të kuptohet me media të lirë. Në fakt, ajo për të cilën Rama flet mund të quhet “liri e pakufizuar për propagandë” dhe kurrsesi, liri e medias apo liri informimi.
“…nëse do të dish çfarëdolloj fakti nga politika, të duhet të lexosh së paku tri gazeta të ndryshme, të krahasosh së paku tri versione të ndryshme të secilit fakt dhe të dalësh në konkluzionin tënd.” Kjo është këshilla që jep Virginia Woolf në esenë e saj të vitit 1938 Tri monedhat e arit për personin që shpreh dëshirën të informohet për “çfarëdolloj fakti nga politika”.
Ti duhet të dish, vëren Woolf, se “…çdo gazetë financohet nga një bord, se çdo bord ka një politikë dhe se çdo bord punëson shkrues për të shkruar atë politikë dhe, nëse shkrimtarët nuk bien dakord me atë politikë, ata përfundojnë, kujtohesh ti, pasi të mendohesh një çast, në rrugë, të papunë.”
Këshilla e Woolf për të lexuar së paku tre raportime nga çdo ngjarje, nga tre gazeta apo tre burime të ndryshme, nuk është e vlefshme në Shqipërinë e vitit 2026. Dhe kjo, jo se na mungojnë tre media, por se na mungojnë, realisht, tre gazetarë për të raportuar për shumicën dërrmuese të ngjarjeve politike dhe jo vetëm politike. Në fakt, në Shqipëri ka dyzina me media, por edhe nëse i lexon që të gjitha një nga një, nuk do të arrish të sigurosh “tre versione të ndryshme” të faktit dhe e ke të pamundur që “të dalësh në konkluzionin tënd”, në mënyrë të informuar. Sepse, pavarësisht nëse lexon një media apo njëqind media, materiali që lexon është i njëjtë dhe, në shumicën dërrmuese të herës, nuk është hartuar nga një gazetar.
Për më tepër, ndryshe nga Mbretëria e Bashkuar e vitit 1938, mediat në Shqipëri nuk kanë borde. Mediat në Shqipëri kanë pronarë individualë. Dhe gazetarët, ata që kanë pasur kurajon qytetare apo ata që kanë pasur paaftësinë për të kuptuar kontekstin në të cilin vendi gjendet, kanë përfunduar sakaq të papunë, kanë ikur emigrantë, kanë ndryshuar profesion ose po përpiqen të mbijetojnë duke bërë sikur. Disa kanë arritur të mbijetojnë duke u bërë personazhe publike, aktorë që, për nga pesha publike që kanë, janë në gjendje të ruajnë vendin e punës dhe njëkohësisht një nivel të caktuar të lirisë për të folur. Këta janë gjithsesi shumë të paktë dhe puna e tyre është e pamjaftueshme për të siguruar qytetarë të informuar.
Lajmet në Shqipëri sot nuk prodhohen nga gazetarët. Me përjashtim të pak lajmeve nga kronika e zezë, pjesa dërrmuese e lajmeve prodhohen nga propagandistë. Dhe ato nuk janë “lajme”, janë materiale propagandistike.
Për shembull, të dielën më 10 maj, kryeministri Edi Rama publikoi të ashtuquajturin Podcast të vetin, në të cilin, mes të tjerash, hodhi poshtë si të pavërtetë vlerësimin e organizatës ndërkombëtare Reporterë pa Kufi, e cila e vlerësoi negativisht gjendjen e medias në Shqipëri. Argumenti bazë për vlerësimin negativ të gjendjes së lirisë së medias dhe lirisë së informimit në Shqipëri është fakti që media kryesore në vend kontrollohet nga individë, interesat e të cilëve janë të lidhura ngushtë me vendimmarrjen e Edi Ramës, për leje ndërtimi, për status investitori strategjik, për prokurime publike, koncesione e licenca.
Përkeqësimi gjatë vitit 2025 lidhet veçanërisht me vendimin antikushtetues të Edi Ramës për të bllokuar aksesin e lirë të qytetarëve shqiptarë në Tik Tok, vendim të cilin Gjykata Kushtetuese e vendit e cilësoi si “tejkalim të kompentencave” të kryeministrit. Dhe përkeqësimi lidhet gjithashtu me rastet e dhunimeve të medias, – përfshirë vrasjen e punonjësit Pal Kola, gjatë një atentati me armë zjarri ndaj Top Channel në mars të vitit 2023, – ngjarje që ka mbetur pa autor dhe e pazbardhur tashmë që prej tre vitesh. Oligopoli faktik në tregun televiziv, ku një numër i kufizuar operatorësh kontrollojnë pjesën më të madhe të tregut, është shqetësim shtesë.
Sipas Ramës, media në Shqipëri nuk ka se si të jetë “e kapur” sepse, sipas tij, lajmet në të cilat përmendet opozita janë më të shumta se sa lajmet në të cilat përmendet qeveria. Rama nuk trajton të gjitha problemet e tjera të vërejtura nga RSF dhe nga të gjithë vëzhguesit e medias, por, edhe sikur të gjitha këto shqetësimet e tjera të mos ekzistonin, sërish, argumenti i Ramës për “balancim” nuk vlen për të gjykuar lirinë e medias. Sepse, nëse media raporton Ramën apo Berishën, në mënyrë të barabartë apo në mënyrë të pabarabartë, kjo nuk i bën qytetarët e informuar dhe as median, të lirë. Kjo është liria e Ramës dhe e Berishës për të bërë propagandë e nuk mundet të ngatërrohet me të drejtën e qytetarëve për t’u informuar, në mënyrë të paanshme, të saktë dhe nga burime e këndvështrime të larmishme. Secili nga cilësorët ka rëndësi të madhe dhe, në rastin e Shqipërisë, duket se mungojnë që të gjitha.
Lajmet në Shqipëri nuk janë të “paanshme” për shkak se ato nuk prodhohen nga gazetarë. Në vend të gazetarëve, zyrat e propagandës së qeverisë prodhojnë “kronika” të cilat, mediat ia transferojnë publikut pa kontekst dhe pa ballafaqim. Për shembull, podcast-i i Ramës dhe deklaratat e tij mbi median, përveçse u prodhuan nga ndihmësit e kryeministrit, u transmetuan në të gjitha mediat pa përpunim editorial, pa ia kundërvënë deklaratës së kryeministrit deklaratën e RSF-së, pa shpjeguar asgjë. Mediat, të cilat, edhe nëse do të kishin vullnetin të bënin punën e gazetarit, pra të mos transmetonin copy-paste deklaratat e kryeministrit, tashmë nuk janë në gjendje ta bëjnë sepse, praktika e prodhimit të materialeve të gatshme nga zyrat e shtetit është konsoliduar që kur u shfaq fillimisht në vitin 2007, duke i nxjerrë gazetarët praktikisht të tepërt. Nëpër media sot ka gjithnjë e më pak reporterë e redaktorë, të cilët, nuk kanë më, jo vetëm lirinë për të raportuar, por nuk disponojnë më as kohën dhe as mjetet për të raportuar. Numri i mediave supozohet se është e lartë në Shqipëri, Rama flet për 700 portale. Por numri real i gazetarëve të cilët bëjnë një punë më shumë se sa copy-paste është minimal dhe në rënie të vazhdueshme. Dhe kjo vërehet te numri tmerrësisht i ulët i raportimeve që kanë autorësi dhe numri i stërmadh i materialeve të publikuara siç merren nga zyrat e propagandës.
Rama, personi që, në ditën e tij të parë të punës si kryeministër në vitin 2013, urdhëroi të gjithë anëtarët e Këshillit të Ministrave të mos komentojnë publikisht për asgjë, përmes “kodit të etikës”, është personi përgjegjës për tredhjen e të gjithë zyrtarëve të qeverisë dhe aktorëve politikë, përfshirë deputetë apo zyrtarë të tjerë të partisë së tij, duke i hequr atyre të drejtën për të pasur opinion dhe për ta shprehur këtë opinion publikisht. I vetmi person në Partinë Socialistë që ka të drejtë të ketë opinion dhe ta shprehë atë publikisht duket se është Edi Rama. Dhe i vetmi person në të gjithë administratën publike, nga faturinoja e trenit që nuk punon deri te kryeministri, është Edi Rama.
Në këtë kontekst, edhe nëse ndonjë gazetari do t’i ketë mbetur nervi për të raportuar në mënyrë të pavarur, mundësitë e tij për të raportuar për çdo gjë, nga politika apo nga aktiviteti i institucioneve publike, janë zero.
Në vend të raportimeve, vendi është i përmbytur nga kronika të prodhuara nga zyrtarët e shtetit. Për shembull, së fundmi, ishte një zyrtar i hekurudhës, kompania me mbi 700 të punësuar dhe pa asnjë tren në lëvizje, i cili, me pamjen prej heroi shpegonte se si po ecnin punimet në hekurudhën Tiranë – Durrës, por pa folur, dhe pa gazetar të pranishëm për ta pyetur, se pse punimet që duhej të mbaronin në vitin 2024 nuk kanë përfunduar ende dhe kostot janë rritur me 60%. Në këtë kontekst, ka pak rëndësi nëse Rama dhe Berisha dalin në media në mënyrë të barabartë apo të pabarabartë. Media, si institucion që duhet të raportojë, në mënyrë të paanshme, të saktë, të plotë e të larmishme, është zëvendësuar me materialet e gatshme të Ramës./reporter.al-A.D
