Last Updated on 12/05/2026 by Anisa
Blendi Fevziu, i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, ka komentuar zhvillimet brenda Partisë Socialiste dhe figurën e ministres Elisa Spiropali, duke u ndalur te roli i saj dhe raporti me kryeministrin Edi Rama.
Duke folur për mundësinë e një sfide të brendshme ndaj Ramës, Fevziu u shpreh se nuk beson që Spiropali përbën rrezik real për drejtimin e PS-së, edhe pse sipas tij brenda partisë ekzistojnë pakënaqësi të ndryshme.
Në diskutim me moderatorin Ylli Rakipi, gazetari u ndal edhe te mënyra e të artikuluarit të Spiropalit në politikë, duke e cilësuar atë si një figurë që ka shfaqur arrogancë në komunikim publik. Fevziu shtoi se, sipas tij, arroganca në politikë mund të vijë ose nga një ndjenjë inteligjence superiore, ose nga mungesa e saj, duke ia lënë publikut gjykimin për rastin konkret.
Gjatë bisedës, Rakipi solli edhe batuta ironike për figurat politike, ndërsa Fevziu theksoi se, pavarësisht kritikave, Spiropali nuk është një figurë e paformuar politikisht dhe po artikulon ide të ndryshme në skenën publike.
Biseda në studio:
Ylli Rakipi: Meqë e hape vetë, a mund të vijë edhe Elisa Spiropali në pushtet aty (në PS)?
Blendi Fevziu: Nuk besoj sepse do të kërkonte konsensur në parti edhe pse ka pakënaqësi. Edhe pse kam vërejtje për Spiropalin…
Ylli Rakipi: Ajo e shkretë Skënderbe i ka thënë Ramës dhe ky Mamica…
Blendi Fevziu: Ajo ishte arrogante. Arroganca vjen ose nga inteligjenca superiore ose nga budallallëku. Kishte edhe Kadareja arrogancë por atij i vinte nga inteligjenca. Kur njeriu budallallepset.. Megjithatë Spiropali po artikulon një sërë ideshë politike.
Ylli Rakipi: Edhe me ndihmën e inteligjencës artificiale…
Blendi Fevziu: Jo nuk besoj, kam një fotografi në kokë por nuk e them…
Ylli Rakipi: Eee një nga kolegët tanë!
Blendi Fevziu: Është stili i një njeriu që e njoh prej 40 vjetësh.
Ylli Rakipi: Po po, kolegu ynë.
Blendi Fevziu: Por Spiropali nuk është e paformuar./A.D
