Drejtori i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus, deklaroi të martën se aktualisht nuk ka shenja të një shpërthimi të gjerë të hantavirusit, megjithëse nuk përjashtohet mundësia e rasteve të tjera në javët e ardhshme.
Në një konferencë të përbashkët për shtyp në Madrid me kryeministrin spanjoll, Pedro Sánchez, Tedros tha se periudha e gjatë e inkubacionit të virusit mund të sjellë raste të reja, ndërsa autoritetet vazhdojnë monitorimin e pasagjerëve të anijes turistike “Hondius”, ku u identifikuan infeksionet.
Sipas OBSH-së, deri tani janë konfirmuar nëntë raste me hantavirus dhe dy raste të dyshuara të lidhura me anijen turistike. Autoritetet shëndetësore theksojnë se virusi nuk përhapet lehtësisht nga njeriu te njeriu, çka ul rrezikun për një epidemi të gjerë.
Tedros bëri të ditur se shumica e pasagjerëve që zbritën nga anija janë lokalizuar dhe po monitorohen nga autoritetet kombëtare. Ai shtoi se OBSH mund të japë rekomandime për karantinën dhe masat parandaluese, por vendimet përfundimtare u takojnë shteteve.
Nga ana e tij, Sanchez tha se Spanja po ndjek me kujdes situatën dhe se pasagjerët po i nënshtrohen testeve PCR sipas protokolleve të vendosura nga autoritetet shëndetësore.
Tedros falënderoi qeverinë spanjolle për bashkëpunimin dhe lejimin e zbarkimit të pasagjerëve të anijes “Hondius” në Spanjë, duke theksuar se “viruset nuk respektojnë kufijtë” dhe se solidariteti ndërkombëtar mbetet mbrojtja më e fortë ndaj krizave shëndetësore./mxh
