Zëdhënësi i UNICEF-it, James Elder, ka deklaruar se fëmijët palestinezë po paguajnë një “çmim të papranueshëm” nga përshkallëzimi i operacioneve ushtarake dhe sulmeve të kolonëve në Bregun Perëndimor të pushtuar, përfshirë Jerusalemin Lindor.
Në një deklaratë në Gjenevë, Elder tha se nga janari 2025 deri tani, mesatarisht një fëmijë palestinez është vrarë çdo javë në këtë territor, duke e çuar numrin në rreth 70 fëmijë të vrarë gjatë kësaj periudhe. Sipas tij, rreth 93% e këtyre rasteve janë shkaktuar nga forcat izraelite, ndërsa mbi 850 fëmijë të tjerë janë plagosur.
Ai theksoi se shumica e viktimave janë goditur me municion të vërtetë, ndërsa raste të tjera përfshijnë sulme nga kolonët, ku fëmijët janë qëlluar, goditur me thikë, rrahur ose spërkatur me gaz lotsjellës.
UNICEF paralajmëroi gjithashtu se në mars 2026 është regjistruar numri më i lartë i të plagosurve nga sulmet e kolonëve në 20 vitet e fundit, duke e cilësuar situatën si një model të vazhdueshëm dhune ndaj fëmijëve dhe shkelje serioze të të drejtave të tyre.
Sipas organizatës, këto sulme nuk janë raste të izoluara, por pjesë e një modeli të përsëritur që përfshin edhe goditje ndaj shtëpive, shkollave dhe burimeve të ujit.
Pamjet nga Bregu Perëndimor tregojnë tensione të vazhdueshme mes banorëve palestinezë dhe forcave izraelite, si dhe incidente të përsëritura dhune në zonë.
Autoritetet izraelite nuk kanë reaguar menjëherë ndaj këtyre deklaratave, ndërsa situata në territoret e pushtuara mbetet e tensionuar mes akuzave të ndërsjella dhe shqetësimeve ndërkombëtare për mbrojtjen e civilëve, veçanërisht fëmijëve./mxh
