Last Updated on 13/05/2026 by Anisa
Autoriteti Rrugor Shqiptar ka çelur një tjetër procedurë të lidhur me autostradën Tiranë–Durrës, këtë herë për përmirësimin estetik të aksit nga Dogana deri në nënkalimin e Limuthit. Ndërhyrja ishte paralajmëruar edhe më herët gjatë një inspektimi ku ishte i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama, i cili theksoi rëndësinë e gjelbërimit dhe përmirësimit vizual të segmentit rrugor.
Kontrata me objekt “Plotësim i punimeve dhe përmirësimi estetik nga sheshi Shqiponja deri te nënkalimi i Limuthit” ka një fond limit prej 1.31 miliardë lekësh, ose rreth 13.7 milionë euro.
Sipas dokumenteve zyrtare, projekti përfshin një sërë ndërhyrjesh për gjelbërimin e autostradës Tiranë–Durrës, si mbushje me dhe vegjetal, mbjellje bari, shkurresh dhe pemësh dekorative, si dhe instalimin e një sistemi automatik ujitjeje për mirëmbajtjen e sipërfaqeve të gjelbëruara.
“Sipërfaqja totale e parashikuar për zbatimin e projektit të gjelbërimit është rreth 65,000.00 m², që përfshin mbushje me dhe vegjetal. Trafikndarësja ka një gjatësi prej 7,050 ml dhe një gjerësi prej 1.8 m, ku parashikohet mbjellje me shkurre dekorative. Pjesa anësore, nga barriera deri tek kanali kullues, në të dy drejtimet e rrugës Tiranë– Durrës, ka një gjatësi prej rreth 6000 ml dhe gjerësi që varion nga 1.2 m deri në 3.8 m, ku parashikohet mbjellje me pemë dhe shkurre dekorative. Hapësira të tjera për gjelbërim zënë një sipërfaqe prej rreth 31,000.00 m², ku parashikohet mbjellje me bar. Parashikohet ndërtimi një impianti ujitje automatike për sipërfaqet e gjelbërimit, monitorim dhe kontroll në distancë përmes sistemit të automatizuar » thuhet në dokument.
Projekti synon të rrisë standardin estetik të një prej akseve më të rëndësishme hyrëse në kryeqytet, duke kombinuar infrastrukturën rrugore me elemente të gjelbërimit dhe mirëmbajtjes afatgjatë./A.D
