Aktori i njohur turk Oktay Çubuk ka dhënë lajme pozitive për gjendjen e tij shëndetësore, pas rrezikut për jetën që kaloi gjatë një udhëtimi në Lisbonë, Portugali. Aktori 30-vjeçar, i njohur për rolet në serialet “Xhenet” dhe “Dashuria të bën të qash”, pësoi arrest kardiak disa javë më parë ndërsa ndodhej në kryeqytetin portugez për të shoqëruar nënën e tij, Nilhan Çetinyamaç Çubuk.
Sipas mediave turke, Çubuk u ndje keq papritur dhe zemra e tij ndaloi së rrahuri. Falë ndërhyrjes së menjëhershme të mjekëve, aktori u rikthye në jetë dhe më pas u vendos në repartin e kujdesit intensiv për monitorim.
Pas disa ditësh në terapi intensive, gjendja e tij fatmirësisht u stabilizua. Vetë aktori ka konfirmuar se operacioni që iu nënshtrua rezultoi me sukses.
Në një postim në rrjetet sociale Çubuk ndau për ndjekësit e tij detaje nga shëndeti i tij:
“Operacioni ishte i suksesshëm, gjithçka është mirë. Do të dal nga spitali shumë shpejt. Faleminderit të gjithëve për mbështetjen.”
Në një tjetër reagim emocionues, ai u shpreh se ndihet më mirë çdo ditë dhe mezi pret të kthehet në shtëpi, pranë miqve të tij.
Mjekët pritet ta mbajnë aktorin edhe për pak kohë nën vëzhgim, ndërsa rikthimi i tij në Turqi do të bëhet sapo të marrë miratimin përfundimtar nga stafi mjekësor./mxh
