Dy ushtarakë shqiptarë kanë arritur një sukses të rëndësishëm në garën “Best Warrior” të Gardës Kombëtare të Ushtrisë së Nju-Xhersit për vitin 2026, duke u renditur të parët në kategoritë e tyre.
Ambasada e SHBA-së në Tiranë tha sot se gara u zhvillua gjatë katër ditëve sfiduese dhe përfshiu një sërë testesh sfiduese, si kurse me pengesa, prova të aftësisë fizike, aftësi luftarake në ujë, orientim në terren dhe ushtrime qitjeje me sisteme të ndryshme armësh.
Në këtë aktivitet morën pjesë nëntetari shqiptar Marjus Cauli dhe ushtari IV Hambel Peçi, të cilët u përballën me një nivel të lartë konkurrimi, duke arritur rezultate të shkëlqyera.
Pjesëmarrja e tyre u zhvillua në kuadër të Programit të Partneritetit Shtetëror mes Gardës Kombëtare të Nju-Xhersit dhe Forcave të Armatosura të Shqipërisë, i cili këtë vit shënon 25-vjetorin e krijimit.
Ky sukses vlerësohet si dëshmi e përgatitjes profesionale dhe performancës së lartë të Forcave të Armatosura të Shqipërisë në aktivitete ndërkombëtare./mxh
