Djali i presidentit palestinez Mahmoud Abbas, biznesmeni milioner Yasser Abbas, pritet të hyjë zyrtarisht në politikë duke kandiduar për një rol drejtues në lëvizjen Fatah, në një kohë kur po shtohen debatet për pasuesin e liderit 90-vjeçar të Autoritetit Palestinez.
Sipas burimeve pranë partisë, Yasser Abbas synon një nga 18 vendet në Komitetin Qendror të Fatah-ut gjatë konferencës së partisë që po mbahet në Ramallah nga 14 deri më 16 maj, mbledhja e parë e tillë pas afro një dekade.
Yasser Abbas drejton kompani të mëdha në sektorin e duhanit dhe ndërtimit në Bregun Perëndimor të pushtuar nga Izraeli, ku Autoriteti Palestinez ushtron vetëqeverisje të kufizuar. Ai dhe vëllai i tij Tarek Abbas janë akuzuar prej vitesh nga kundërshtarët për përdorim të fondeve publike në favor të bizneseve të tyre, akuza që ata i kanë mohuar vazhdimisht.
Përfshirja e tij në politikë ka nxitur spekulime të forta në territoret palestineze se Mahmoud Abbas po përgatit terrenin që djali i tij të marrë drejtimin e Fatah-ut dhe eventualisht të Autoritetit Palestinez.
Megjithatë, kjo ide ka hasur kundërshtime brenda vetë Fatah-ut. Disa zyrtarë të partisë argumentojnë se Yasser Abbas nuk ka aftësinë për të bashkuar palestinezët apo për të ndërtuar një vizion të ri politik, në një kohë kur palestinezët përballen me mungesë zgjedhjesh kombëtare dhe mungesë progresi drejt shtetësisë.
Në javët e fundit, Yasser Abbas ka zhvilluar takime me fraksione të lidhura me aparatin e sigurisë së Autoritetit Palestinez dhe me grupe që përfaqësojnë të burgosurit palestinezë në Izrael, një bazë me ndikim të madh politik brenda Fatah-ut.
Edhe pse nuk ka mbajtur më parë poste zyrtare në Fatah apo në Autoritetin Palestinez, ai ka qenë shpesh pranë të atit në takime ndërkombëtare, përfshirë vizitën në Moscow vitin e kaluar, ku Mahmoud Abbas u takua me presidentin rus Vladimir Putin dhe presidentin egjiptian Abdel Fattah al-Sisi.
Kritikët paralajmërojnë se ngritja politike e Yasser Abbas mund të thellojë edhe më shumë pakënaqësinë e palestinezëve ndaj Autoritetit Palestinez, i cili prej vitesh akuzohet për korrupsion dhe mungesë reformash./mxh
