E ftuar mëngjesin e sotëm në emisionin Wake Up, këngëtarja dhe moderatorja Egli Tako ka folur për balancën mes televizionit dhe muzikës, si dhe për projektet e saj më të reja artistike.
Gjatë intervistës, ajo u ndal edhe te rubrika e saj e përjavshme në E Diell, “Talent në Shtëpi”, duke theksuar angazhimin e saj të vazhdueshëm në ekran, paralelisht me muzikën.
Në aspektin muzikor, Tako zbuloi se po punon njëkohësisht për disa projekte të reja:
“Po punoj me më shumë se një projekt. Po punoj për tre deri në katër projekte, patjetër që nuk do të dalin të gjitha menjëherë, por rruga është shtruar”, është shprehur ajo.
Sipas saj, këto do të jenë projekte me karakter veror, të ndërtuara mbi një “vibe” të lehtë dhe ritme që i përshtaten stilit të saj, kryesisht në linjat e house-it me elemente afro. Ajo theksoi se nuk është natyrë shumë eksperimentuese dhe preferon të ruajë identitetin e saj artistik.
Duke folur për tematika, këngëtarja u ndal te motivi kryesor i shumë këngëve: dashuria. Sipas saj, pavarësisht tregjeve muzikore, këngët shpesh rrotullohen rreth dashurisë, qoftë në formën e ndarjes apo gëzimit, ku sidomos temat e ndarjes duket se gjejnë më shumë rezonancë te publiku.
Me këto projekte në horizont, Egli Tako pritet të vijë gjatë verës me publikime të reja që ruajnë stilin e saj karakteristik dhe fokusin te muzika ritmike dhe emocionale./mxh
