Kylie Jenner ka zbuluar se shtatzënia me djalin e saj, Aire Webster, ishte shumë më e vështirë sesa ajo e parë me vajzën Stormi.
Gjatë intervistës në podcast-in “Therapuss” të Jake Shane, Jenner tregoi se prej më shumë se tre vitesh vuan nga dhimbje shpine, por gjendja u përkeqësua ndjeshëm gjatë shtatzënisë së dytë. Ajo tha se në javën e 12-të të shtatzënisë u zgjua një mëngjes pa mundur të ecte për shkak të dhimbjeve të forta të nervit shiatik dhe pjesës së poshtme të shpinës.
28-vjeçarja shpjegoi se kishte pritshmëri të larta për këtë shtatzëni, pasi ndodhej në formën më të mirë fizike të jetës së saj dhe dëshironte të vazhdonte ushtrimet fizike. Megjithatë, të përzierat ishin shumë të forta dhe ajo tregoi se duhej të hante vazhdimisht për të mos u ndier më keq.
“Haja gjithçka. Çdo natë haja një tas të tërë akulloreje,” u shpreh Jenner, duke shtuar se konsumonte shumë karbohidrate.
Ajo tregoi se gjatë shtatzënisë me vajzën e saj Stormi Webster kishte shtuar rreth 27.2 kilogramë, ndërsa me djalin Aire Webster shtoi 29.5 kilogramë, duke arritur në 95 kilogramë në momentin e lindjes. Të dy fëmijët i ka me ish-partnerin e saj, Travis Scott.
Jenner rrëfeu se kishte ditë kur nuk mund të çohej nga shtrati.
“Nuk mund të dilja nga krevati sepse kisha aq shumë dhimbje shpine dhe nervi shiatik,” u shpreh ajo.
Ajo foli edhe për komplikacionet që kishte përjetuar gjatë shtatzënisë:
“Po ndodhnin shumë gjëra me vaginën time,” tha Jenner. “Isha e hapur tre centimetra për një muaj e gjysmë, pothuajse dy muaj. Bebja po dilte jashtë.”
Sipas saj, mjeku i kishte rekomanduar pushim absolut pasi ishte e hapur tre centimetra për gati dy muaj.
Në podcast, ajo foli edhe për momentin kur zbuloi se ishte shtatzënë me Stormi në moshën 19-vjeçare. Jenner tha se ishte shumë e frikësuar për t’ua treguar prindërve lajmin, por në fund mori vendimin ta mbante fëmijën sepse e ndiente se ishte zgjedhja e duhur për të.
Ajo kujtoi edhe periudhën kur mbajti të fshehtë shtatzëninë e parë nga publiku dhe paparacët, duke thënë se ndihej sikur po mbronte veten. Pas publikimit të lajmit, Jenner tha se qau për orë të tëra pasi ndjeu një lehtësim të madh emocional./mxh
