Presidenti rus, Vladimir Putin, deklaroi se masat e ndërmarra nga qeveria për të mbështetur ekonominë kanë filluar të japin “rezultate pozitive”, ndonëse me kujdes në vlerësim.
Gjatë një takimi me zyrtarë të lartë të qeverisë në Moskë, Putin tha se të dhënat ekonomike për muajin mars tregojnë rritje në disa sektorë kyç, përfshirë konsumatorët dhe tregtinë me shumicë dhe pakicë.
Sipas tij, rritja e tregtisë me shumicë arriti në 8%, ndërsa ajo me pakicë 6.2%. Presidenti rus shtoi se papunësia mbetet në nivel të ulët historik prej 2.2%.
Ai gjithashtu theksoi se prodhimi industrial u rrit me 2.3%, ndërsa sektori i prodhimit shënoi rritje edhe më të shpejtë, rreth 3%.
Megjithatë, të dhënat tregojnë se ekonomia ruse është përballur me luhatje, pasi në tremujorin e parë ajo shënoi një tkurrje prej 0.3%. Ndërkohë, ministria e Ekonomisë ka ulur parashikimet e rritjes për vitet e ardhshme, duke reflektuar pasiguri në perspektivën afatmesme.
Autoritetet në Moskë vijojnë të theksojnë se ekonomia po përshtatet me kushtet e reja të krijuara nga sanksionet ndërkombëtare dhe ndryshimet në tregjet globale./mxh
