Last Updated on 15/05/2026 by EL
Alush Gashi, një nga bashkëpunëtorët e afërt të Ibrahim Rugovës në vitet ’90, si sekretar i Marrëdhënieve me Jashtë të LDK-së dhe më pas deputet dhe ministër në qeveritë e pasluftës, u nda sot nga jeta në moshën 76-vjeçare.
Më poshtë po jap disa fragmente ku përmendet veprimtaria e tij në vitet 1989–1999, nxjerrë nga libri im “Republika e Parë”, me autor Mero Baze botuar në vitin 2022.
Helmimi i nxënësve në Kosovë

“Analizat e para tregonin se nxënësit ishin intoksikuar me rrugë të frymëmarrjes. Kjo ishte qartazi e provueshme.
Mjekët serbë u ndanë si me thikë nga shërbimi dhe filluan të besonin idenë e një komploti shqiptar. Në të vërtetë mjekët shqiptarë ishin po ashtu të frikësuar nga ideja e një komploti serb. Mosbesimi mes palëve kishte helmuar atmosferën para helmit misterioz të nxënësve.
Në rrugët e Podujevës, ndërkohë, prindërit shqiptarë kishin shpërthyer në protesta dhe kishin rrahur disa kalimtarë serbë, që kalonin aty duke i sharë dhe duke i akuzuar se ua kanë helmuar fëmijët.”
Alush Gashi, që drejtonte Fakultetin e Mjekësisë, tha se shkaqet e helmimit ende nuk janë përcaktuar dhe se nxënësit shqiptarë kanë dhimbje koke, marrje mendsh, këputje dhe shqetësime në stomak. Ai tha se jeta e askujt prej tyre nuk është në rrezik.
Përpjekja për ta futur Kosovën në tryezën e bisedimeve ndërkombëtare
Pas shpalljes së Qeverisë dhe vendosjes së saj të përkohshme në Slloveni, Ibrahim Rugova dhe përfaqësuesit e Këshillit Koordinues udhëtuan në SHBA për të siguruar mbështetje për fillimin e rrugës së tyre të gjatë të rezistencës paqësore, ku u pritën nga senatorët Bob Dole, Claiborne Pell dhe të tjerë, i shoqëruar nga Joseph DioGuardi.
I shoqëruar nga dekani i Fakultetit të Mjekësisë, Alush Gashi, Rugova u kërkoi zyrtarëve amerikanë të ndikojnë tek Lordi Carrington që në tryezën e bisedimeve të thërrasë dhe shqiptarët.
Të njëjtën kërkesë e përsëritën në një memorandum drejtuar Konferencës Ndërkombëtare për Jugosllavinë intelektualët shqiptarë nga Kosova.
Pjesëmarrës në Konferencën e Londrës
Një mbrëmje gushti, Ibrahim Rugova, Bujar Bukoshi, Isa Zymberi dhe disa ekspertë shqiptarë të Ministrisë së Jashtme ishin në Londër. Konferenca e Londrës për Jugosllavinë kishte bërë një ftesë për pjesëmarrje edhe për përfaqësues të shqiptarëve të Kosovës, Maqedonisë e Malit të Zi, për t’i relativizuar si probleme të brendshme të republikave.
Nga Kosova, përveç Rugovës e Bukoshit, merrnin pjesë Fehmi Agani, Gazmend Zajmi, Mark Krasniqi, Shaqir Shaqiri, Alush Gashi, Avdyl Krasniqi etj.
Takimi në Qendrën Carter më 1993

Presidenti Jimmy Carter ishte angazhuar në një debat rreth temës “Perspektivat rajonale për konflikt”. Konferenca ishte e fokusuar rreth situatës në Ballkan.
Ibrahim Rugova, i cili u prezantua nga organizatori i konferencës si “udhëheqës i një koncepti të ri për vetëvendosje”, tha se për ta parandaluar konfliktin në Kosovë janë të domosdoshme trupat paqeruajtëse të OKB-së, si dhe një mbikëqyrje ndërkombëtare si fazë kalimtare, derisa të ndalet makina serbe e luftës.
Anëtarët e tjerë të delegacionit të Kosovës, dr. Shaqir Shaqiri, dr. Alush Gashi, dr. Isa Zymberi, Muhamet Hamiti dhe Veton Surroi folën për aspekte të ndryshme të problemit të Kosovës.
Vizita në Uashington, dhjetor 1994

Në përpjekje për ta bërë më të fortë kërkesën e Kosovës për prezencë ndërkombëtare në Kosovë, Ibrahim Rugova udhëtoi në fillim të dhjetorit 1994 në Uashington.
Rugova shoqërohej nga Edita Tahiri, Alush Gashi, si dhe zëdhënësi i tij Avni Spahiu. Më 2 dhjetor Ibrahim Rugova u prit nga zyrtarët më të rëndësishëm amerikanë të politikës së jashtme.
Takimi me delegacionin e Dhomës për Marrëdhëniet me Jashtë të Kongresit Amerikan
Delegacioni u nis drejt Kosovës ku qëndroi më 25 dhe 26 prill, ku u takua me Presidentin Ibrahim Rugova, me përfaqësues të palës serbe, si dhe pjesëtarë të shoqërisë civile të Kosovës.
Në një takim më të zgjeruar me përfaqësues të arsimit dhe shëndetësisë që funksiononin në sistemin paralel, nga pala shqiptare merrte pjesë dr. Adem Limani, ministër i Shëndetësisë, dr. Zenel Kelmendi, shef i Komisionit të Shëndetësisë në LDK, dhe dr. Alush Gashi, këshilltar i Presidentit për Çështje të Shëndetësisë dhe Probleme Sociale.
Lajmi për vrasjen e Alush Gashiut në ditët e para të bombardimeve
“Në ditën e dytë të bombardimeve, serbët kishin rrëmbyer nga shtëpia dhe kishin pushkatuar avokatin e njohur Bajram Kelmendi dhe dy djemtë e tij. Lajme për vrasje dhe zhdukje intelektualësh vinin çdo orë. Baton Haxhiu, Alush Gashi, Din Mehmeti, Veton Surroi dhe të tjerë u shpallën të zhdukur.”
/et
