Gazetari i njohur Artan Hoxha ka zbuluar detaje mbi kushtet e paraburgimit të ish-presidentit Ilir Meta, duke folur për situatën e tij në burgun “313” dhe trajtimin që po merr nga autoritetet.
I ftuar në emisionin “Kjo Javë” në News24, Hoxha komentoi edhe paraqitjen e fundit të Metës në seancën në GJKKO, duke përdorur ironi për ndryshimin në pamjen e tij.
“Javën që kaloi u bë një ceremoni te GJKKO. GJKKO është bërë shumë e bukur. Drejtësia jonë nuk çalon këtu. Ndryshimi që panë qytetarët tek Ilir Meta ishte se dukej sikur nuk kishte kaluar te grimi”, u shpreh gazetari.
Sipas Hoxhës, Meta vijon të mbahet në burgun “313”, një institucion me masa të larta sigurie ku, sipas tij, mbahen edhe persona të botës së krimit.
“Burgu ku rri ai, 313, ka masat më të rrepta të sigurisë. Aty rrinë personazhe të botës së krimit. Meta rri i vetëm në qeli”, deklaroi gazetari.
Ai theksoi se izolimi për një periudhë të gjatë ka ndikuar ndjeshëm te ish-presidenti.
“Nga 24 tetori 2024 deri sot të rrish vetëm është problem i madh. Ai është i privuar nga shumë gjëra që ka pasur në rutinë”, u shpreh Hoxha.
Gazetari pretendoi gjithashtu se Metës i janë kufizuar aktivitetet fizike brenda institucionit të paraburgimit.
“Edhe nëse do të bëjë shtangë me bidona, shkojnë dhe ia çajnë bidonat e ujit. Ka një orientim për ta trajtuar në këtë formë”, tha ai.
Sipas Hoxhës, ish-presidenti nuk konsumon ushqimin e burgut, por furnizohet nga jashtë përmes një personi të besuar. Ai shtoi se ushqimi që i dërgohet është kontrolluar disa herë nga autoritetet.
“Metës i janë bërë kontrolle edhe për ushqimin që merrte”, deklaroi gazetari.
Një tjetër çështje e përmendur prej tij ishte komunikimi i Metës nga ambientet e paraburgimit. Hoxha pretendoi se Meta është ndëshkuar pasi ka komunikuar live në media pas orës 20:00, veprim që është konsideruar shkelje e rëndë e rregullores.
Po ashtu, ai tha se një nga shpenzimet më të mëdha të Metës në burg lidhet me kartat telefonike që i dërgohen nga jashtë për komunikim, ndërsa pretendoi se nuk i lejohet të flasë me sekretarin e përgjithshëm të partisë së tij.
Në fund, gazetari përmendi edhe kufizime të tjera brenda institucionit, si heqja e tavolinës së pingpongut dhe problematika që lidhen me orarin e ajrimit./A.D
