Mijëra familje të zhvendosura në Gaza po përballen me një përhapje të madhe të minjve dhe insekteve, ndërsa mungesa e menaxhimit të mbeturinave dhe shërbimeve të kanalizimeve përkeqëson kushtet shëndetësore dhe mjedisore në kampet e mbipopulluara.
Banorët e zhvendosur tregojnë se minjtë hyjnë çdo ditë në çadra, dëmtojnë ushqimet dhe në disa raste sulmojnë fëmijët gjatë natës. Fadi Jundiya tregon se sa e vështirë është të jetosh me këto kafshë, duke përmendur se fëmijët e tij frikësohen të shkojnë në tualet pa shoqërim dhe dritë telefoni.
Edhe Mohammad Talal dhe fëmijët e tij janë prekur nga sulmet e minjve. Ai rrëfen se ka shkuar në spital për të trajtuar plagët e fëmijës së tij dhe se çdo natë duhet të mbajë dritën e telefonit për të siguruar sigurinë.
Areej Musbah shton se fëmijët e saj janë traumatizuar nga minjtë dhe çdo mëngjes gjen mbeturina dhe jashtëqitje të kafshëve brenda çadrës. Ajo apelon për ofrimin e helmeve dhe masave urgjente për të ndaluar përhapjen e minjve.
Agjencitë e Kombeve të Bashkuara për refugjatët palestinezë (UNRWA) po kryejnë fushata dezinfektimi dhe shpërndarje pesticide në kampet dhe shkollat që përdoren si strehimore. Por, problemi mbetet i madh, duke u përkeqësuar nga situata humanitare dhe kufizimet e lëvizjes së ndihmave.
Situata është kritike, pasi pjesa më e madhe e mbi dy milion banorëve të Gazës jetojnë në shtëpi të shkatërruara ose çadra të improvizuara mbi rrënoja dhe toka të hapura. Pa ndërhyrje urgjente, rreziqet për shëndetin e fëmijëve dhe të rriturve vazhdojnë të rriten./mxh
