Last Updated on 16/05/2026 by Monika
Operacioni i zhvilluar në Sarandë ndaj disa efektivëve të Policisë së Shtetit po konsiderohet si një nga goditjet më të forta të viteve të fundit kundër lidhjeve të dyshuara mes krimit dhe uniformës blu.
Rasti ka kaluar kufijtë e raportimit lokal, duke marrë vëmendjen edhe të mediave të huaja dhe platformave rajonale të sigurisë, të cilat e kanë cilësuar operacionin si një test real për shtetin shqiptar në luftën kundër korrupsionit institucional.
Në qendër të hetimeve ndodhet një ndërtim i paligjshëm në vijën bregdetare të Sarandës, që sipas autoriteteve dyshohet të ishte i lidhur me interesa kriminale dhe konflikte të hershme për kontroll territori dhe prona.
Por ajo që ka tronditur më shumë opinionin publik është fakti se, sipas hetimeve, punonjës policie dyshohet se nuk kanë vepruar për të ndalur shkeljen e ligjit, por përkundrazi mund të kenë garantuar vazhdimin e saj.
Media rajonale e ka interpretuar rastin si një sinjal se Shqipëria po përpiqet të rikthejë kontrollin brenda institucioneve ligjzbatuese dhe të godasë fenomenin e mbrojtjes së interesave kriminale nga individë me pushtet.
Në analizat e publikuara në mediat e huaja theksohet se problemi më i madh për shtetet e Ballkanit nuk është vetëm ekzistenca e grupeve kriminale, por depërtimi i tyre në institucione.
Sipas këtyre raportimeve, momenti më i rrezikshëm për një shoqëri është kur qytetarët humbasin besimin tek policia dhe krijohet perceptimi se ligji nuk funksionon njësoj për të gjithë.
Operacioni në Sarandë shihet gjithashtu si një provë force për drejtuesit aktualë të Policisë së Shtetit dhe AMP-së.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Skënder Hita, është përmendur si figura që po tenton të rikthejë disiplinën dhe kontrollin e brendshëm në radhët e uniformave blu.
Ndërkohë, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore dhe drejtuesi i saj, Klevis Qose, u vlerësuan për reagimin e menjëhershëm pas denoncimeve të bëra për rastin.
Edhe ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, deklaroi se nuk do të ketë më vend në Policinë e Shtetit për efektivë që bashkëpunojnë me paligjshmërinë.
Për ekspertët e sigurisë, rasti i Sarandës mund të jetë sinjali i parë i një “dore të hekurt” brenda Policisë së Shtetit,jo ndaj qytetarëve, por ndaj çdo punonjësi që përdor uniformën për interesa kriminale.
Sepse, sipas tyre, një institucion nuk humbet forcë kur arreston zyrtarë të korruptuar. Përkundrazi, ai fiton besimin e qytetarëve vetëm kur tregon se askush nuk është mbi ligjin./Mxh
