Bisedimet për të përfunduar luftën me Iranin kanë ngecur. Sipas deklaratave të tij, Irani i ka paraqitur Uashingtonit një propozim të ri për të arritur një zgjidhje të negociuar për konfliktin me SHBA.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Ismail Baghai, deklaroi se Teherani i kishte përcjellë propozimet e tij të dielën përmes ndërmjetësit, Pakistanit.
Ai nuk dha detaje mbi përmbajtjen. Baghai shtoi se SHBA më parë kishte dërguar përgjigje për propozimin e mëparshëm të Iranit.
Shkëmbimi i fundit diplomatik tregon se, deri tani, asnjëra palë nuk është tërhequr ndjeshëm nga kërkesat e saj. Duket se pika kryesore e mosmarrëveshjes mbetet programi bërthamor i Iranit.
Mediat iraniane kanë raportuar se ka kushtëzime të tepruara nga ana e SHBA-së. Sipas agjencisë së lajmeve Mehr, Uashingtoni kërkon në propozimin e tij të fundit kufizime shumë të rrepta dhe afatgjata në sektorin bërthamor të Iranit.
Sipas agjencisë iraniane të lajmeve Fars, qeveria amerikane paraqiti një plan pesëpikësh për të përfunduar luftën me Iranin, sipas të cilit Iranit do t’i lejohej të operonte vetëm një objekt bërthamor dhe duhej t’ia dorëzonte SHBA-së rezervat e tij të uraniumit të pasuruar shumë.
Për më tepër, duket se SHBA kohët e fundit kanë bërë të qartë se do të ndalojnë veprimet luftarake në plan afatgjatë vetëm nëse arrihen rezultate të caktuara në negociata. Për Iranin, ndalimi i veprimeve luftarake, veçanërisht ofensivës së Izraelit në Liban është një parakusht për vazhdimin e negociatave.
Trump: Koha nuk pret më
Presidenti amerikan Donald Trump, nga ana e tij, e përshkroi publikisht propozimin e mëparshëm iranian si budallallëk. Ai së fundmi bëri thirrje që negociatat të ecin shpejt përpara dhe se, në rast të kundërt, kërcënoi sërish Iranin me shkatërrim.
“Ora po troket për Iranin, dhe më mirë të nxitojnë, përndryshe nuk do t’u mbetet asgjë,” shkroi republikani në platformën e tij Truth Social.
“Koha po mbaron.”
Trump e kishte kërcënuar Iranin me fjalë po aq drastike në fillim të prillit. Izraeli, aleat i SHBA-së, tani po përgatitet për një rifillim të mundshëm të sulmeve të përbashkëta kundër Iranit. Sipas agjencisë së lajmeve Tasnim, një zëdhënës ushtarak iranian paralajmëroi se çdo çmenduri e re nga ana e SHBA-së do të provokonte goditje edhe më shkatërruese dhe të ashpra.
Merz bën thirrje për bisedime serioze
Kancelari gjerman Friedrich Merz gjithashtu i bëri thirrje Iranit të bëjë një hap përpara me bisedimet: “Irani duhet të hyjë në bisedime serioze me SHBA-në, të ndalojë kërcënimin e fqinjëve të tij dhe të hapë Ngushticën e Hormuzit pa kufizime,” shkroi Merz në platformën X.
Kancelari i dënoi sulmet e reja ajrore iraniane kundër Emirateve të Bashkuara Arabe dhe partnerëve të tjerë: “Sulmet ndaj objekteve bërthamore përbëjnë një kërcënim për sigurinë e njerëzve në të gjithë rajonin. Nuk duhet të ketë asnjë përshkallëzim të mëtejshëm të dhunës.”/Mxh
