Një shofer kamioni nga Polonia është dënuar me 13 vite e gjysmë burg në Angli pasi tentoi të fuste kontrabandë miliona euro kokainë të fshehura mes produkteve të markës “SKIMS” të Kim Kardashian.
Sipas autoriteteve britanike, 40-vjeçari Jakub Jan Konkel u ndalua në shtator të vitit të kaluar në Essex, pasi mbërriti me traget nga Hook of Holland në Holandë. Kamioni i tij transportonte 28 kuti me veshje dhe të brendshme të markës “SKIMS”.
Gjatë kontrollit me rreze X, oficerët zbuluan një ndarje të fshehtë në pjesën e pasme të kamionit, ku ishin fshehur 90 pako me kokainë, me një peshë totale prej rreth 90 kilogramësh.
Autoritetet vlerësuan se droga kishte një vlerë tregu prej mbi 8 milionë dollarësh.

Hetuesit sqaruan se ngarkesa e produkteve “SKIMS” ishte plotësisht legjitime dhe se as eksportuesi, as importuesi i mallrave nuk kishin lidhje me aktivitetin kriminal.
Fillimisht, Konkel mohoi të kishte dijeni për drogën, por më vonë pranoi se kishte rënë dakord ta transportonte atë kundrejt pagesës prej 4,500 eurosh.
Gjykata e Chelmsford Crown Court në Essex e shpalli fajtor për trafik droge dhe e dënoi me 13 vite e 6 muaj burg.
“Asgjësojmë miliona në fitime për rrjetet kriminale dhe mbajmë këto droga të rrezikshme larg rrugëve tona,” deklaroi Jason Thorn, drejtor ndihmës i Border Force.

Autoritetet britanike e konsideruan operacionin një sukses të madh në luftën kundër trafikut ndërkombëtar të drogës./mxh
