Last Updated on 20/05/2026 by Anisa
Ish-drejtues i lartë i Policisë së Shtetit, Shemsi Prençi, ka ngritur akuza të forta lidhur me mënyrën se si funksionon sistemi penitenciar në Shqipëri, duke pretenduar se në disa raste të burgosurit trajtohen në mënyrë të pabarabartë.
Në një intervistë për News 24, Prençi deklaroi se krerët e organizatave kriminale shpesh nuk dërgohen në burgje të sigurisë së lartë si Burreli, por në institucione ku sipas tij ekzistojnë më shumë mundësi për të mbajtur kontakte me botën e jashtme.
“Përse kokat e organizatave kriminale nuk shkojnë në burgun e Burrelit, por shkojnë në burgun e Durrësit, atje ku u krijohet mundësia për t’u futur celularë,” u shpreh ai, duke nënvizuar se sistemi i burgjeve në vend mbetet problematik dhe i ekspozuar ndaj korrupsionit dhe mungesës së kontrollit.
Ai shtoi se edhe infrastruktura penitenciare dhe procedurat e shoqërimit në komisariate dhe drejtori policie kanë mbetur, sipas tij, të papërfunduara ose jashtë standardeve.
Prençi u ndal gjithashtu te kushtet në burgun e Shënkollit, të cilin e përshkroi si të degraduar dhe pa kushte minimale për trajtimin e të burgosurve.
“Burgu i Shënkollit nuk ka asnjë kusht për trajtimin e të burgosurve, as të shëndoshë, as të sëmurë,” deklaroi ai, duke shtuar se në disa raste, sipas tij, brenda burgjeve lejohen shërbime të veçanta për të burgosur me ndikim.
Ai pretendoi se në disa institucione futen persona me profesione të ndryshme, si masazhistë apo fizioterapistë, për të ofruar shërbime për të burgosurit “VIP”, duke e cilësuar këtë si formë privilegji dhe abuzimi.
Në deklaratat e tij, Prençi solli edhe shembuj të trajtimit të ndryshëm mes të burgosurve, duke përmendur rastin e ish-presidentit Ilir Meta dhe duke kërkuar vëmendjen e Avokatit të Popullit për mënyrën e trajtimit të të paraburgosurve.
“Duhet të ketë trajtim të barabartë, sepse çdo diferencim është diskriminues,” tha ai, duke shtuar se në disa burgje nuk ndodhen persona të profilit të lartë, çka sipas tij ngre pyetje mbi mënyrën e shpërndarjes së të burgosurve në sistem./A.D
