Departamenti Amerikan i Drejtësisë ka ngritur sot padi ndaj ish-presidentit 94-vjeçar kubanez Raul Castro për rrëzimin e aeroplanëve civilë në vitin 1996 të drejtuar nga kritikë të shtetit komunist.
Sipas mediave ndërkombëtare, aktuza ende e pazbuluar akuzon Castron dhe të tjerë për një komplot për të vrarë amerikanë, ndërsa përfshihen dhe disa akuza të tjera.
Raul Castro pasoi vëllanë e tij Fidel Castro si president i Kubës dhe mbikëqyri një afrim historik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vitin 2015 nën drejtimin e Barack Obamës, të cilin Trump më vonë e anuloi.
Tensionet midis Uashingtonit dhe Havanës janë përshkallëzuar në muajt e fundit që kur forcat amerikane rrëzuan aleatin rajonal të Kubës, presidentin venezuelian Nicolas Maduro, në një sulm ushtarak dhe më pas vendosën një bllokadë të dhimbshme energjitike ndaj kombit ishullor që tashmë është në vështirësi ekonomike.
Akuzat e ngritura ndaj Castros vijnë ndërsa presidenti Trump rrit presionin mbi udhëheqjen komuniste të Kubës, madje duke deklaruar se Shtetet e Bashkuara do të marrin kontrollin e ishullit të Karaibeve.
Përpara incidentit të 24 shkurtit 1996, aeroplanët e paarmatosur të “Vëllezërve të Shpëtimit” hidhnin fletëpalosje anti-Castro mbi Havana dhe ndihmonin Rojën Bregdetare të SHBA-së të gjente kubanezët që po largoheshin nga ishulli për në bregdetin e Floridës, me anë të gomoneve dhe anijeve të improvizuara./mxh
