Ish-kryeministri francez Gabriel Attal ka njoftuar zyrtarisht kandidaturën e tij për zgjedhjet presidenciale në Francë vitin e ardhshëm, duke hyrë kështu në një garë gjithnjë e më të ngjeshur politike.
“Meqë e dua thellësisht Francën dhe popullin francez, kam vendosur të jem kandidat për Presidencën e Republikës,” deklaroi Attal gjatë një aktiviteti në fshatin Mur-de-Barrez, në jug të vendit, ku ai shpalli edhe nisjen e fushatës së tij.
37-vjeçari, aktualisht drejtues i partisë së presidentit Emmanuel Macron, “Renaissance”, pritet të përballet me disa figura të njohura të politikës franceze, përfshirë ish-kryeministrin Édouard Philippe, liderin konservator Bruno Retailleau dhe potencialisht ish-presidentin François Hollande.
Sipas sondazheve të fundit, Philippe konsiderohet si kandidati më i fortë për të përballuar të djathtën ekstreme të “National Rally”, e cila kryeson aktualisht në disa matje të opinionit publik. Megjithatë, situata mbetet e paqartë, pasi vendimi përfundimtar mbi kandidimin e Marine Le Pen pritet nga një gjykatë apeli. Në rast se ajo ndalohet të kandidojë më 7 korrik, në garë pritet të hyjë Jordan Bardella.
Attal ka deklaruar se fushata e tij do të bazohet në “optimizëm” dhe besimin se “ditët më të mira të Francës janë përpara”, duke theksuar nevojën për vendimmarrje të fortë dhe veprim politik.
“Do të kërkojë punë të madhe, do të kërkojë marrje vendimesh dhe forcë për të vepruar, por me këtë forcë gjithçka është e mundur,” u shpreh ai sipas Politico.
Vendimi i Attal për të nisur fushatën nga zonat rurale shihet si një përpjekje për t’u distancuar nga elita e Parisit, ndërsa ai ka zhvilluar kohët e fundit një tur në qytete dhe kryeqytete europiane si Athina, Brukseli, Kievi dhe Haga.
Me këtë kandidim, Attal bëhet edhe kandidati i parë i hapur homoseksual me profil të lartë që hyn në një garë presidenciale në Francë. Ai e theksoi këtë moment si historik, duke vënë në dukje barazinë dhe vlerat e republikës franceze.
Ndërkohë, marrëdhëniet e tij me presidentin Macron mbeten të tensionuara. Pas shpërndarjes së papritur të parlamentit në vitin 2024, Attal u largua nga posti i kryeministrit, ndërsa më vonë ka kritikuar publikisht vendimet e presidentit, duke deklaruar se “nuk i kupton më”.
Zgjedhjet presidenciale në Francë pritet të mbahen brenda më pak se një viti, ndërsa gara politike shihet tashmë si një nga më të fortat e viteve të fundit./mxh
