Last Updated on 23/05/2026 by Monika
Donald Trump Jr. dhe partnerja e tij, Bettina Anderson, raportohet se janë martuar ligjërisht në një ceremoni private në Palm Beach të Floridës, vetëm pak ditë përpara festës madhështore që pritet të zhvillohet këtë fundjavë në Bahamas.
Sipas mediave amerikane, ceremonia civile është zhvilluar të enjten dhe është zyrtarizuar pranë autoriteteve të qarkut Palm Beach. Martesa është celebruar nga avokati Brad McPherson, një bashkëpunëtor i afërt i familjes Trump.
Burime për Page Six bëjnë të ditur se ceremonia në Florida ka shërbyer vetëm për procedurat ligjore, ndërsa festa kryesore e dasmës do të mbahet në një ishull privat në Bahamas, larg vëmendjes së mediave dhe me një numër të kufizuar të ftuarish.
Në ceremoni nuk pritet të marrë pjesë presidenti amerikan Donald Trump, për shkak të angazhimeve zyrtare gjatë fundjavës së Memorial Day në Shtetet e Bashkuara.
Bettina Anderson, 39 vjeç, është një figurë e njohur e jetës sociale në Palm Beach. Ajo është modele, aktive në rrjetet sociale dhe e përfshirë në aktivitete bamirësie e kulturore. Anderson vjen nga një familje me ndikim në Florida dhe ka studiuar Histori Arti në Universitetin Columbia.
Marrëdhënia e saj me Donald Trump Jr. nisi të tërhiqte vëmendjen publike në fund të vitit 2024, kur çifti u pa së bashku në evente të ndryshme publike dhe sportive.
Kjo është martesa e dytë për djalin e madh të presidentit amerikan. Trump Jr. ka qenë më parë i martuar me Vanessa Trump, me të cilën ka pesë fëmijë, ndërsa më pas ishte i fejuar edhe me Kimberly Guilfoyle./mxh
