Papa Leoni XIV ka bërë thirrje për tejkalimin e konceptit të luftës së drejtë, të mbrojtur ndër të tjera nga administrata e presidentit amerikan Donald Trump, duke paralajmëruar se njerëzimi po rrëshqet drejt një kulture të dhunshme të fuqisë.
“Në ditët e sotme, më shumë se kurrë, është e rëndësishme të riafirmohet kapërcimi i teorisë së luftës së drejtë, e cila shumë shpesh është përdorur për të justifikuar çdo luftë, duke ruajtur vetëm të drejtën për vetëmbrojtje në kuptimin e saj më të ngushtë”, shkruan ai në enciklikën e tij të parë madhore, ”Magnifica Humanitas” (”Njerëzimi madhështor”), të publikuar sot.
Megjithëse letra programatike, drejtuar besimtarëve në mbarë botën, fokusohet kryesisht në mbrojtjen e dinjitetit njerëzor përballë zhvillimit të shpejtë të inteligjencës artificiale, papa i parë amerikan në histori përsërit gjithashtu mesazhin e tij paqedashës, i cili ka shkaktuar kohët e fundit tensione me Uashingtonin.
”Lufta jo vetëm zhvillohet, por edhe përgatitet në nivel kulturor përmes narrativave të thjeshtuara, logjikës mik-armik, dezinformimit dhe frikës. Kur kujtesa historike zbehet dhe dobësohen kriteret etike që mbrojnë civilët dhe më të pambrojturit, bëhet më e lehtë të paraqitet dhuna si e nevojshme, e pashmangshme, madje edhe e pastër”, shkruan ai.
Sipas tij ”njerëzimi madhështor ka në dispozicion mjete shumë më efektive për të përballuar konfliktet dhe për të promovuar jetën njerëzore, si dialogu, diplomacia dhe falja”.
Papa Leone XIV është shfaqur si një nga kritikët më të zëshëm të luftës në Lindjen e Mesme, e cila filloi me sulmet ajrore amerikane dhe izraelite kundër Iranit në fund të shkurtit.
Ai e ka dënuar kërcënimin e Trumpit për të shkatërruar Iranin si plotësisht të papranueshëm dhe u ka bërë thirrje amerikanëve që t’u kërkojnë përfaqësuesve të tyre në Kongres të punojnë për paqen dhe të refuzojnë gjithmonë luftën.
Administrata Trump e ka justifikuar vazhdimisht sulmin ndaj Iranit me nevojën për të penguar vendin të zhvillojë armë bërthamore.
Edhe zëvendëspresidenti amerikan JD Vance, i konvertuar në katolik, ka përdorur argumentin e luftës së drejtë dhe i ka kërkuar papës të tregojë kujdes në çështjet teologjike./mxh
