Dy persona të kthyer nga Uganda kanë përfunduar të izoluar në spitalin infektiv Sacco në Milan, pasi shfaqën simptoma që kanë ngritur dyshime për Ebola dhe detyruan autoritetet italiane të aktivizojnë protokollin special shëndetësor.
Bëhet fjalë për një burrë 31-vjeçar dhe një grua 33-vjeçare nga zona e Komos, të cilët mbërritën në aeroportin Malpensa të dielën në mëngjes me një fluturim nga Addis Abeba. Të dy kishin kaluar tre muaj në Ugandë si bashkëpunëtorë humanitarë me misionarët kombonianë, në një zonë pranë kufirit me Kongon, ku është raportuar shpërthim i Ebola-s.
Sipas autoriteteve italiane, simptomat u shfaqën menjëherë pas kthimit në shtëpi. Gruaja kishte temperaturë të lartë, të vjella, diarre, të përziera dhe probleme neurologjike, ndërsa burri paraqiti temperaturë të lehtë dhe probleme me zorrët.
Mjekët nuk përjashtojnë mundësinë që simptomat të lidhen me malarien, pasi vajza e 33-vjeçares kishte kaluar malarien gjatë qëndrimit në Afrikë. Megjithatë, deri në daljen e analizave nuk mund të përjashtohet as virusi Ebola.
Dy pacientët u transportuan me ambulanca të ndara drejt spitalit Sacco dhe u vendosën në dhoma izolimi. Gjendja e gruas konsiderohet më e rëndë dhe nuk përjashtohet mundësia që ajo të transferohet në terapi intensive. Ndërkohë, familjarët e tyre janë futur në izolim të detyrueshëm në banesë deri në publikimin e rezultateve të analizave.
Autoritetet shëndetësore në Lombardi janë në kontakt me Ministrinë italiane të Shëndetësisë, e cila ka nisur verifikimin e kontakteve dhe të dhënave të fluturimit të dy personave. Nëse rastet konfirmohen si Ebola, pacientët do të transferohen në spitalin Spallanzani në Rome, i vetmi në Itali i specializuar për trajtimin e rasteve të tilla.
“E njoh mirë Ebola-n dhe e di sa problem serioz mund të jetë. Por që të kthehet në një emergjencë të madhe duhen kushte sociale dhe klimatike që fatmirësisht nuk ekzistojnë në Itali”, deklaroi përgjegjësi rajonal për shëndetësinë në Lombardi, Guido Bertolaso.
Organizata Botërore e Shëndetësisë ka ngritur alarmin për përhapjen e Ebola-s në Kongo dhe Uganda, duke paralajmëruar se situata po del jashtë kontrollit për shkak të dhunës dhe pasigurisë në terren./mxh
