Ministrat e Jashtëm të Australisë, Indisë, Japonisë dhe Shteteve të Bashkuara zhvilluan një takim të grupit “Quad” në New Delhi, ku në fokus ishte siguria rajonale, zinxhirët e furnizimit dhe marrëdhëniet me Kinën.
Ministrja e Jashtme australiane, Penny Wong, deklaroi se bota pret që SHBA-ja dhe Kina të bashkëpunojnë për të menaxhuar dallimet mes tyre dhe për të garantuar bashkëjetesë paqësore.
Ajo theksoi se dialogu mes dy fuqive globale është i domosdoshëm, ndërsa vlerësoi angazhimin e vendeve të “Quad” për forcimin e bashkëpunimit strategjik në rajonin Indo-Paqësor.
Gjatë takimit, katër vendet ranë dakord për ndërtimin e përbashkët të një porti në Fixhi, si edhe nënshkruan marrëveshje për bashkëpunim në fushën e mineraleve kritike dhe sigurisë energjetike.
Nga ana tjetër, përfaqësuesi i Ministrisë së Jashtme japoneze, Toshihiro Kitamura, deklaroi se ndryshimet në rendin ndërkombëtar po i detyrojnë vendet të forcojnë qëndrueshmërinë ekonomike dhe të shmangin varësinë nga presionet apo ndikimet e jashtme.
Nisma për mineralet kritike konsiderohet veçanërisht e rëndësishme për Japoninë, pasi Kina ka pezulluar eksportet e disa mineraleve strategjike që përdoren në industrinë e mbrojtjes, hapësirës ajrore dhe teknologjisë.
Në deklaratën e përbashkët pas takimit, vendet e “Quad” shprehën shqetësim serioz për situatën në Detin e Kinës Lindore dhe Jugore, si edhe për militarizimin e zonave të kontestuara nga Pekini./mxh
